AKTUALITET, 2 Gusht 2024, 16:29

RENEA “blindon” aeroportin/ Ekstradohet nga Belgjika kreu i klanit 'Duka', ja momenti kur vjen në Rinas Leonard Duka

RENEA “blindon” aeroportin/ Ekstradohet nga Belgjika kreu i klanit

Ekstradohet nga Belgjika Leonard Duka. Rivali i Ervis Martinajt u arrestuar në Belgjikë në maj të këtij viti.

Arrestimi i tij u bë i mundur pas shkëmbimit të informacionit mes policisë shqiptare dhe asaj belge. Për Dukën, SPAK ka kërkuar masë sigurie ‘arrest me burg’, ndërkohë që Duka kishte kërkuar azil politik në Belgjikë.

Leonard Duka njihet si kreu i ‘klanit Duka’, grup kriminal që ka pasur konflikt të vazhdueshëm me grupin e Ervis Martinjat.

NJOFTIMI I POLICISE

Interpol Tirana kryen ekstradimin nga Belgjika në Shqipëri, të shtetasit të shumëkërkuar L. D. Drejtoria e Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Bruksel dhe me strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, realizoi ekstradimin drejt vendit tonë, të shtetasit L. D.

Shtetasi L. D. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi L. D. dhe 6 shtetas të tjerë janë autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur në vitin 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, shtetasi S. M.

Gjithashtu, shtetasi L. D., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka planifikuar vrasjen e shtetasve Er. Ma., Er. Mi. dhe të anëtarëve të tjerë të grupit të tyre. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit falënderon Zyrën e Interpol Bruksel, për bashkëpunimin, dhe njësitë e angazhuara në realizimin me sukses të operacionit të ekstradimit.