TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pas akuzave të PD se ai dhe familjarë të tij kanë përfituar pronë në Vuno. Rama i cilëson këto akuza si shpifje, të cilat thotë se do t'i çojë në gjykatë.
"Sot e gjithë ditën, duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit tonë në Vuno të Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone - ku sapo isha së bashku me kryebashkiakun tonë të së dielës së ardhshme, Vangjel Tavon - nuk i ka marrë ende çertifikatat e pronësisë. Sepse unë, ndryshe nga kundërshtarët e mi pa din e pa iman, nuk jam i asaj kategorie përfaqësuesish të popullit, që tjetër thonë për njerëzit e tjetër bëjnë për vete. Kështu që faleminderit që e hapën këtë gropë në publik për mua dhe bujrum le të hidhen vetë brenda, si zakonisht, por këtë herë me të mirën e madhe që populli do ta shohë dallimin e madh, si në një pasqyrë ku vetëm qorrat me qimen e syrit në tru, në Tiranë apo Athinë mund të mbeten pa e kuptuar", shkruan Rama.
Reagimi i plotë:
"Përpjekja e dëshpëruar për të bërë një paralele të pamundur, mes pushtetit të përdorur për veten e për familjen dhe pushtetit të vënë në dispozicion të të gjithëve, ku edhe vetja, familjarët apo fisi yt trajtohen njësoj si të gjithë, është një përpjekje që e përshëndes me kënaqësi këtë herë! Sepse aq sa ç’është e neveritshme, si gjithnjë kur hidhet baltë mbi familjen time për të luftuar në fakt me mua, aq është në këtë rast edhe e mirëseardhur për të bërë dallimin si nata me ditën, mes agresorëve të familjes time dhe meje si kundërshtar i papërkulshëm i tyre!
Të gjitha faktet që e ekspozojnë këtë përpjekje, si një lëtyrë të nxjerrë nga kanalet e ujrave të zeza mediatike në Tiranë e në Athinë, e tashmë të propaganduar nga skllevërit e ballkonit Non Grata, do të jenë pjesë e padisë së radhës në gjyq për këta të paudhë që në fakt, po i paguajnë me një vetëdiskreditim e vetëturpërim shembullor në sytë e shqiptarëve paudhësitë e panumërta që i kanë bërë këtij vendi e këtij populli, kur kishin edhe gurin edhe arrën në duart e tyre të mbrapshta e të pista.
Por për publikun ka vetëm një fakt. Sot e gjithë ditën, duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit tonë në Vuno të Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone - ku sapo isha së bashku me kryebashkiakun tonë të së dielës së ardhshme, Vangjel Tavon - nuk i ka marrë ende çertifikatat e pronësisë. Sepse unë, ndryshe nga kundërshtarët e mi pa din e pa iman, nuk jam i asaj kategorie përfaqësuesish të popullit, që tjetër thonë për njerëzit e tjetër bëjnë për vete. Kështu që faleminderit që e hapën këtë gropë në publik për mua dhe bujrum le të hidhen vetë brenda, si zakonisht, por këtë herë me të mirën e madhe që populli do ta shohë dallimin e madh, si në një pasqyrë ku vetëm qorrat me qimen e syrit në tru, në Tiranë apo Athinë mund të mbeten pa e kuptuar!", shkruan Rama.