TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Dr. Endri Shabani, ka reguar pas mashtrimit publik se në vitin 2021 mori më shumë vota se Sali Berisha në zgjedhjet parlamentare.
Në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Shabani u bëri një sfidë të ftuarve duke u kërkuar të shohin rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, duke pretenduar se ai ka marrë më shumë vota se Sali Berisha në Tiranë.
"Sali Berisha ka marrë personalisht më pak vota seç kam marrë unë në Tiranë. Merri votat personale të 2021 të Sali Berishës dhe krahasoji. Sali Berisha vota personale, me lista të hapura në Tiranë, hape tani rezultatin ka marrë më pak se Nisma Thurje!", deklaroi Shabani.
Pas kësaj "sfide", TPZ verifikoi në faqen zyrtare të KQZ-së dhe rezulton se Shabani ka marrë vetëm 751 vota personale, ndërsa Berisha 6772.
Pasi i doli gënjeshtra, Shabani ka reaguar sërish, por edhe pse një politikan i ri, që supozohet të ketë mentalitet ndryshe nga politikanët e vjetër që mashtrojnë pa mbajtur përgjegjësi, ai nuk është tërhequr nga gënjeshtra, por thotë se ka marrë më shumë vota në zgjedhjet lokale të vitit 2023, sesa Berisha në zgjedhjet parlamentare në vitin 2021, duke u bërë i pari politikan në Shqipëri që i bën qejfin vetes duke krahasuar dy palë zgjedhje të ndryshme.
Me sa duket, politikani i ri është shqetësuar aq shumë, sa edhe në status-justifimin që ka botuar, i është dashur të theksojë, siç bën në shumë nga daljet e tij, se është i doktoruar në Universitetin e Oksfordit.
Të studiosh në këtë universitet prestigjioz është sigurisht një arritje, por ta përmendesh çdo moment për t'i dhënë legjitimitet vetes, tregon impotencë intelektuale, që i duhet të fshihet pas "markës" të Oksfordit.
Theksojmë edhe njëherë se nuk është aspak turp, që një politikan i ri të marrë pak vota, por është turp kur gënjen publikisht dhe akoma më shumë turp, kur kapet në gënjeshtër dhe nuk tërhiqet por bën pirueta të rëndomta.
Dr. Shabani, lëre rehat Oksfordin dhe hiq dorë nga gënjeshtrat e 'vockla'!
Reagimi i plotë i Dr. Shabanit:
Portali i Yllit ka bërë një autogol tek porta e Berishës, nga mllefi që ka për mua. Portali përmend një të vërtetë: Sali Berisha ka vetëm 6772 vota personale. Të tjerat janë vota për partinë demokratike. Zgjedhjet e fundit ku Sali Berisha ka konkuruar me emrin e tij ka qënë në vitin 2021. Dhe aty nga 622 mijë votues të PD-së, vetëm 6 mijë prej tyre zgjodhën Sali Berishën.
Tani, Ylli shpesh manipulon në publik, sikur medemek Berisha paska 500 mijë vota. Por në fakt në zgjedhjet e majit 2023 Berisha nuk ishte në fletën e votimit. Aty ishte emri i Ilir Metës dhe 61 njerëz që kandiduan në emër të partisë së tij për kyetar bashkie.
Tani sa për mua, emri im ishte në fletën e votimit në këto zgjedhje, dhe unë u zgjodha në Këshillin Bashkiak të Tiranës me 6993 vota të qytetarëve të Tiranës.
Tani unë nuk e di çfarë mësimesh jepen në shkollën me korrespondencë të Elbasanit, por besoj se nuk duhet të shkosh në Oxford për të mësuar se numri 6993 është më i madh se numri 6772.
Rezultati i zgjedhjeve të 2021 që tregon mashtrimin e Shabanit:

