BOTA, 16 Mars 2022, 15:27

Rasti i bujshëm/ Irani lejon rikthimin e Nazanin Zaghari-Ratcliffe, pasi Britania pagoi borxhin 400 milionë paund

Rasti i bujshëm/ Irani lejon rikthimin e Nazanin Zaghari-Ratcliffe, pasi

Nazanin Zaghari Ratcliffe, me nënshtetësi të dyfishtë britanike dhe iraniane, është lejuar të rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar pas gjashtë vitesh në burg. 

Zaghari-Ratcliffe u arrestua në vitin 2016, me akuzën se kishte komplotuar për rrëzimin e qeverisë iraniane, ndërkohë që vizitonte vendin sëbashku me vajzën e saj të vogël. Këtë akuzë, Zaghari-Ratcliffe e ka mohuar gjithmonë. 

Kjo ka qenë një çështje mjaft e ndjeshme në Britani, ku bashkëshorti i Zaghari-Ratcliffe prej vitesh kërkon ndihmën e qeverisë për rikthimin e bashkëshortes së tij. 

Ajo është përdorur nga Irani, si mekanizëm presioni, për të negociuar me qeverinë britanike. 

Mësohet se Zaghari-Ratcliffe dhe një shtetas tjetër, Anoosheh Ashoori, janë në një avion, duke u larguar nga Irani, pasi qeveria britanike ka paguar 400 milionë paund. Këtë shumë, Irani e konsideronte si borxh, për një porosi të disa tankeve në vitin 1970, e cila ishte anulluar nga britanikët. 

Pas pagesës së parave, Zaghari-Ratcliffe i është rikthyer pasaporta dhe bëhet e ditur se ajo tashmë është duke u rikthyer në Mbretërinë e Bashkuar, pranë bashkëshortit dhe vajzës. 

Një tjetër person me shtetësi të dyfishtë, Morad Tahbaz, është liruar nga burgu, por nuk do të lejohet ende të udhëtojë drejt Britanisë. Ministrja e jashtme, Liz Truss, ka thënë se po vijon mpuna për rikthimin e Morad.