AKTUALITET, 22 Shkurt 2022, 20:35

Rastësi është që i keni dhënë leje minerare Klodian Zotos? Gjiknuri: Po këtu një grusht biznesmenësh janë! Më kallëzoni nëse kam shkelur ligjin

Rastësi është që i keni dhënë leje minerare

Kryetarja e Komisionit Hetimor të Inceneratorëve, Jorida Tabaku, e pyeti ish-ministrin e Energjitikës Damian Gjiknuri gjatë dëshmisë në komision, në lidhje me dhënien e një leje minerare ndaj kompanisë së shtetasit Klodian Zoto, i cili rezulton gjithashtu i përfshirë në aferën e inceneratorëve.

Në përgjigjen e tij Gjiknuri u shpreh se leja është dhënë me garë të hapur, konformë ligjit dhe ftoi opozitën ta çojë në prokurori nëse gjejnë qoftë dhe një shkelje ligjore të vetme.

Jorida Tabaku: Zoti Gjiknuri kam disa pyetje, dakord është një rastësi e jashtëzakonshme që ju 1 në 1 milion shqiptarë të udhëtoni me këta persona në të njëjtin avionë, apo në të njëjtin automjet siç e pranoni. Çfarë rastësie është të japësh një kontratë për leje minerare për kompaninë CGC të Stela Gugalljas dhe Klodian Zotos, dhe Loran Dushës, i cili është administrator i Fierit?

Kam këtu një kontratë tjetër dhënë po Albtek Energy, sa rastësi ka me këtë kompani?

Damian Gjiknuri: Lejet minerare në Shqipëri jepen me garë me tender të hapur. Nëse kjo leje do të kishte probleme bujrum ky komision të shkojë ta hetojë nëse është bërë garë dhe a janë plotësuar kushtet. Unë kam dhënë me qindra leje minerare dhe këtu një grusht biznesmenësh janë që merren me fushën e energjisë dhe minierave. Nëse unë kam shkelur ligjin bujrum të bëni kallëzim penal.