AKTUALITET, 4 Maj 2022, 23:04

Raporti për lirinë e medias, Bushati: Më i keqi në historinë e Shqipërisë!

Raporti për lirinë e medias, Bushati: Më i keqi në
Foto ilustrim: Andi Bushati dhe Baton Haxhiu

Analisti Andi Bushati e konsideron si më të keqin në historinë e vendit tonë, raportin e organizatës ‘Reporterët Pa kufij’ për lirinë e medias, ku Shqipëria u rendit në vendin e 103-të. 

Bushati tha në emisionin “Shock” në “Euronews Albania”, se nuk është rastësi që Shqipëria humbi 20 vende dhe renditet e fundit në rajon për lirinë e mediave.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama gjithmonë mohon realitetin kur gjendet në vështirësi.

“Raporti është më i keqi në historinë e Shqipërisë dhe jo rastësisht Shqipëria humb 20 vende në raport me vitet e tjera. Renditet në vendin e fundit në rajon për lirinë e mediave. Interesante ishte qasja e kryeministrit në pikën që ai bën gjithmonë të njëjtin truk kur është në vështirësi, mohon realitetin. Unë mendoj që Rama e bën këtë manipulim sepse ky është një raport i zi për Shqipërinë”, u shpreh Bushati.

Ndërsa, për analistin Baton Haxhiu, është vetë sistemi që ka shkatërruar rregullat për funksionimin e mediave elektronike dhe jo Rama.

“Është një kategori e cila ka shkelur të gjitha rregullat e funksionimit të mediave elektronike. Licenca pa kritere, nuk respektojnë kodet që i ka e gjithë Evropa. Këto rregulla i ka shkatërruar sistemi dhe jo Edi Rama. Prej kohësh është krijuar një sistem i shkatërrimit të mediave elektronike”, tha Haxhiu.