AKTUALITET, 4 Maj 2022, 20:36

U kap me 8 kg kokainë, dënohet me katër vite burg shqiptari në Itali

U kap me 8 kg kokainë, dënohet me katër vite burg shqiptari

Një 39-vjeçar shqiptar është lënë në burg nga gjykata italiane pasi u kap me 8 kilogramë kokainë së bashku me bashkëatdhetarin e tij në Itali.

Shqiptari me inicialet J. M është dënuar me katër vite burg pasi u kap me lëndën narkotike të fshehur në bagazhin e makinës.

Gati dy vite më parë ai u ndalua nga policia italiane për një kontroll në Ankona, si pjesë e një operacioni që po zhvillohej ndaj trafikut të drogës në Itali. Ai ishte duke drejtuar një makinë Seat Altea me ngjyrë të zezë së bashku me një 45-vjeçar shqiptar. 39-vjeçari u ndalua teksa po ngiste furgonin në Borgo Passera, në të cilin u gjetën afro tetë kilogramë kokainë, e ndarë në shtatë pako. Disa pako mbanin etiketën Chopard ose Sony, shkruajnë mediat italiane. 

Droga ishte e fshehur në midis bagazhit dhe sediljeve të pasme, të cilat mund të hapeshin vetëm me një pajisje elektronike të krijuar posaçërisht për këtë gjë dhe funksiononte vetëm përmes një çakmaku. Gjatë kontrollit u sekuestruan edhe 30 mijë euro para të gatshme. Në duart e policisë përfundoi edhe një pajisje elektronike që shqiptarët kishin përdorur. Të dy u dërguan në burg, ku njëri prej tyre 39 vjeçari u dënua me 4 vite për trafik droge.