TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Fondi monetar ndërkombëtar ka publikuar raportin për Shqipërinë në vijim të misionit të mbajtur në nëntor.
Në raport FMN evidenton se rritja ekonomike e Shqipërisë vlerësohet nga me të fortat në Evropë e ndikuar në se shumti nga turizmi.
"Pas një mesatareje prej 4.3 përqind në periudhën pas pandemisë, PBB-ja reale parashikohet të rritet me 3.5 përqind në vitin 2025, kryesisht e nxitur nga konsumi privat, dhe 3.6 përqind në vitin 2026, duke reflektuar një përshpejtim modest të rritjes në partnerët kryesorë tregtarë të zonës së euros.
Efektet direkte nga tarifat e SHBA-së janë minimale, ndërsa efektet indirekte nga masat tregtare globale dhe pasiguria gjithashtu duken të kufizuara deri më tani. Pavarësisht njëfarë moderimi, turizmi vazhdon të ofrojë mbështetje të qëndrueshme për prodhimin ekonomik", evidenton FMN.
Pasigurite ekonomike vijojnë thotë FMN të ndikuar kryesisht nga faktorë të jashtëm, si tensionet gjeopolitike.
"Tensionet gjeopolitike, përshkallëzimi i masave tregtare, paqëndrueshmëria e çmimeve të mallrave dhe pasiguria e zgjatur mund të ndikojnë te partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë dhe të dobësojnë kërkesën e jashtme. Paqëndrueshmëria e tregut financiar global dhe korrigjimet e çmimeve të aseteve mund të zvogëlojnë kërkesën për borxhin sovran të Shqipërisë dhe mund të çojnë në rreziqe të rifinancimit", thotë FMN.
Në këtë kontekst, FMN shpreh shqetësim të veçantë për marrëveshjen e ashtuquajtur “Paqja Fiskale”, e miratuar nga Kuvendi, e cila parashikon: faljen ose shlyerjen me kushte të detyrimeve tatimore dhe doganore, përfshirë gjobat dhe interesat; një marrëveshje vullnetare për paracaktimin e fitimit të tatueshëm dhe pezullimin e kontrolleve tatimore gjatë periudhës së marrëveshjes; rivlerësimin e pasqyrave financiare të mëparshme me një normë preferenciale uniforme prej 5 për qind.
Sipas FMN-së, këto masa rrezikojnë të dëmtojnë ndjeshëm kulturën e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore, duke cenuar përparimin e Shqipërisë drejt një sistemi tatimor modern, të drejtë dhe të barabartë. Për më tepër, ato ngrenë shqetësime serioze në lidhje me funksionimin e sistemit të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT), pasi mund të lehtësojnë futjen në sistemin financiar formal të fondeve apo aseteve me origjinë të paqartë, që më parë nuk kanë qenë të deklaruara.
Shqetësuese për Shqipërinë thotë FMN është rënia e popullsisë.
"Brenda vendit, një rënie më e theksuar se sa pritej e popullsisë në moshë pune mund të përkeqësojë mungesat e fuqisë punëtore, të nxisë inflacionin, të kërkojë një qëndrim më të shtrënguar të politikës monetare dhe të dobësojë perspektivat e rritjes", thotë FMN.
Sfidë për vendin është edhe rritja e të ardhurave për frymë, pasi pavarësisht progresit Shqiperia vlerësohet si ekonomi me produktivitet të ulët.
"Produktiviteti mbetet i ulët, me të ardhura për frymë në vetëm një të tretën e nivelit të BE-së, dhe boshllëqet në reforma në kapitalin njerëzor, qeverisjen dhe rregullimin e biznesit janë të gjera", vlerëson FMN.
Në aspektin fiskal, Fondi Monetar Ndërkombëtar vijon të jetë kritik për " Paqen Fiskale.
"Marrëveshja e "Paqes Fiskale", e cila ofron anulimin e borxhit dhe rivlerësimin preferencial të pasqyrave financiare, rrezikon të minojë progresin e mëparshëm në administrimin dhe pajtueshmërinë tatimore", thotë FMN, e cila i qëndron kritikave të bëra edhe në nëntor.
FMN: Falja e borxheve të integrohet në legjislacion të përhershëm
Në vend të nismave ad-hoc, FMN rekomandon që çdo lehtësim i borxheve tatimore të inkorporohet në legjislacion të përhershëm, me rregulla të qarta, transparente dhe të harmonizuara me standardet ndërkombëtare për fshirjen e detyrimeve. Në plan afatgjatë, përmirësimi i qeverisjes, forcimi i shtetit ligjor dhe reduktimi i informalitetit do të ishin mënyra më efektive për rritjen e qëndrueshme të të ardhurave buxhetore.
Raporti thekson se Shqipëria tashmë ka përfituar nga një performancë e fortë e të ardhurave dhe nga disiplinimi fiskal, duke ulur borxhin publik në rreth 54.5 për qind të PBB-së në vitin 2024, me projeksione për rënie nën 50 për qind deri në vitin 2030. Megjithatë, FMN paralajmëron se presionet afatmesme dhe afatgjata mbi shpenzimet publike – veçanërisht nga mbrojtja, pensionet, shëndetësia dhe ndryshimet demografike – kërkojnë politika të kujdesshme dhe të qëndrueshme fiskale.
Praktikat buxhetore: FMN kërkon më shumë transparencë parlamentare
Një tjetër pikë kritike e raportit lidhet me praktikat e rishikimit të buxhetit. FMN rekomandon që ndryshimet buxhetore të kalojnë përmes procesit të rregullt legjislativ, dhe jo përmes akteve normative, të cilat reduktojnë transparencën dhe e bëjnë planifikimin fiskal më pak të parashikueshëm. Sipas FMN-së, kjo praktikë dobëson kontrollin parlamentar dhe ul besueshmërinë e kuadrit fiskal në afat të mesëm.
Investimet publike dhe PPP-të: nevojë për cikël të unifikuar dhe kontroll më të fortë
Raporti i FMN-së ndalet gjerësisht edhe te menaxhimi i investimeve publike (PIM) dhe mbikëqyrja e partneriteteve publike-private (PPP). FMN rekomandon rikthimin e një cikli të unifikuar projektesh, me studime fizibiliteti të detyrueshme, prioritizim të qartë dhe kontroll të angazhimeve shumëvjeçare. Vendimmarrja duhet të harmonizohet mes projekteve tradicionale dhe PPP-ve, me Ministrinë e Financave si koordinator qendror i të gjithë ciklit të investimit publik.
Veçanërisht kritike konsiderohet praktika e propozimeve të pakërkuara, të cilat përbëjnë rreth 80 për qind të portofolit aktual të PPP-ve. FMN rekomandon eliminimin e tyre dhe thjeshtimin e strukturave të qeverisjes për të shmangur fragmentimin institucional dhe rreziqet fiskale të fshehura.
Në këtë kuadër, FMN sugjeron realizimin e një Climate-PIMA (C-PIMA) për të vlerësuar progresin që nga vlerësimi i fundit i vitit 2016 dhe për të forcuar më tej axhendën e investimeve publike, veçanërisht në kushtet e rritjes së nevojave për investime të lidhura me klimën.
Mesazh i qartë për politikëbërësit
Në përfundim, FMN e sheh Shqipërinë në një “moment kyç”, me rritje të fortë ekonomike dhe perspektivë pozitive për integrimin europian, por paralajmëron se zgjidhjet afatshkurtra fiskale dhe devijimet nga praktikat e mira të qeverisjes mund të rrezikojnë qëndrueshmërinë e arritur me vështirësi gjatë viteve të fundit. Mesazhi për politikëbërësit është i qartë: forcimi i administrimit tatimor, transparenca buxhetore dhe qeverisja e mirë mbeten shtyllat kryesore për një rritje të qëndrueshme dhe të drejtë ekonomike.

