AKTUALITET, 29 Korrik 2025, 18:11

Raport alarmues në Romë: “Modeli shqiptar” për migrantët shkel të drejtat e njeriut, kërkohet pezullimi urgjent i protokollit Itali-Shqipëri

Raport alarmues në Romë: “Modeli shqiptar” për

Në një konferencë për shtyp në Dhomën e Deputetëve në Romë, Komiteti i Azilit dhe Emigracionit prezantoi raportin “Plagët kufitare. Faza e re e modelit shqiptar”, duke ngritur alarmin për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në kuadër të marrëveshjes Itali-Shqipëri për menaxhimin e migrantëve.

Raporti denoncon transferimet e detyruara të emigrantëve nga qendrat italiane të riatdhesimit (CPR) drejt qendrës së Gjadrit në Shqipëri, të cilat kryhen “pa urdhra të shkruar, pa vlerësim shëndetësor dhe në kushte çnjerëzore”. Sipas dokumentit, sistemi i ri është “një mekanizëm ndërkombëtar paraburgimi administrativ me transparencë minimale dhe rrezik të lartë shkeljesh ligjore e humanitare”.

Komiteti paralajmëron se mungesa e aksesit në përfaqësim ligjor, izolimi i plotë dhe ndërprerja e trajtimeve mjekësore krijojnë një realitet të rrezikshëm jashtë kontrollit gjyqësor. Raporti kërkon pezullimin e menjëhershëm të protokollit, duke e cilësuar si antikushtetues dhe në kundërshtim me normat evropiane dhe ndërkombëtare.

“Modeli i Shqipërisë” përshkruhet si një terren prove për demokracinë dhe sundimin e ligjit në BE, ndërsa kritikohet si një hap drejt eksternalizimit të politikave të migracionit që rrezikon të eliminojë të drejtën për azil në Evropë.