AKTUALITET, 22 Maj 2023, 16:04

Rama: Vota plebishitare për PS-në, një investim që do ta kthejmë në punë të mira

Rama: Vota plebishitare për PS-në, një investim që do ta

Kryeministri Edi Rama vijoi sot turin e takimeve falënderuese pas zgjedhjeve të 14 majit, me banorë të Matit dhe Klosit.

Rama u shpreh se vota plebishitare për PS-në është një investim që do të kthehet në shumë punë më të mira për t’u bërë.

“Tani na takon ne që këtë investim besim dhe mbështetje t’ua kthejmë në punë të mira dhe mirësi e mbarësi për komunitetin. Shpeshherë ju e keni dëgjuar dhe shpeshherë shumëkush parapëlqen që t’i bjerë shkurt e të thotë që politika nuk ja vlen, vota nuk ja vlen, asnjë gjë nuk ndryshon. Por këtu në Mat, sikundër edhe në plot vende të tjera, kush do të kuptojë, duke menduar me mendjen e tij, i ka të gjitha mundësitë për të kuptuar se e kundërta është e vërtetë”, tha Rama.

Ai theksoi se, politika dhe vota vlejnë dhe nuk janë të gjithë njësoj.

“Po të ishin të gjithë njësoj edhe gjërat do ishin të gjitha njësoj, asnjë gjë nuk do ndryshonte, gjërat do shkonin keq e më keq. Por gjërat kanë ndryshuar dhe besoj se në këtë votë kaq plebishitare për PS-në është edhe konfirmimi i ndryshimit”, tha Rama. Por, kryeministri theksoi se, në këtë votë plebishitare ka edhe një pritshmëri të madhe. “Kjo na nderon sepse PS ka jo pak vite në qeveri dhe kjo pritshmëri është provë shumë e rëndësishme e faktit se ne mund dhe do të vazhdojmë të ushqejmë shpresën dhe t’i përgjigjemi shpresës me edhe më shumë punë”, tha Rama.