AKTUALITET, 6 Nëntor 2023, 23:24

"Rama u bë i dobishëm për Melonin dhe problemin e saj"/ Sejamini: Pse duhet të marrim refugjatë, që nuk i merr askush?

"Rama u bë i dobishëm për Melonin dhe problemin e saj"/

Neritan Sejamini ka folur për marrëveshjen që ka bërë kryeministri Rama me Italinë, për strehimin e refugjatëve që kërkojnë të hyjnë në Evropë, por tashmë do të merren nga deti për t'u sjellë në një kamp në Shëngjin. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Sejamini tha se Rama ka gjithmonë strategjinë për t'u bërë i dobishëm për ndërkombëtarët, për përfitime personale, ndërkohë që ngriti pikëpyetje se përse Shqipëria duhet të strehojë refugjatë të cilët nuk i merr askush dhe për të cilët nuk ka infrastrukturë për t'i mbajtur dhe për t'ju garantuar të drejtat. 

"Kemi diskutuar se si ka mundësi që Rama ka mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar? Kam thënë që zoti Rama ka aftësinë të bëhet i dobishëm për ta. Italia ka një problem me refugjatët dhe zoti Rama është bërë i dobishëm për zonjën Meloni.

Rama u ofron të huajve pa asnjë hezitim, lehtësira për gjëra që askush nuk i pranon. Kështu morëm afganët, donim të merrnim plehrat etj.

Këtu ka një specifikë, Rama po e bën pa pyetur askënd. Në nuk do të mbajmë refugjatë, ata po venë diku tjetër, vendi më i pasur dhe me më shumë të drejta nuk pranon ta bëjë dhe e merr përsipër Shqipëria.

Refugjatët që nuk i merr askush nuk kemi pse i marrim ne, nuk jemi as të pasur, as kemi infrastrukturë dhe as nuk sigurojmë dot të drejtat e tyre.

Rama nuk na i thotë këto gjëra, sepse jemi të parëndësishëm dhe ka pushtet, nuk ka nevojë fare të na thotë gjë.  Ai u konsultua me veten", tha ndër të tjera Sejamini.