TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në dorëzimin e çelësave për apartamentet e ndërtuara në Golem, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit 2019.
Teksa bëri me dije se në Kavajë janë strehuar 22 familje që humbën strehën nga tërmeti, Rama u ndal edhe te kriza energjitike. Ai i i bëri thirrje qytetarëve që të kursejnë sa më shumë energji në mënnyrë që kriza të përballohet me sukses. Kryeministri theksoi edhe një herë se nuk do të preket çmimi i energjisë, por mundësia për tu vendosur fasha mbi 800 KW në nëntor është e hapur.
Rama: Dua të përfitoj nga rasti se është një kohë e vështirë, inflacioni që ka sjellë lufta ka vështirësuar jo vetëm familjet, por edhe gjithë procesin e zhvillimit të mëtejshëm ku ne sërish kemi shumë besim se do ia dalim siç duhet. Jemi të vendosur ta mbajmë të paprekur çmimin e faturës së energjisë për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël. Kjo ka rolin e vet në frenimin e inflacionit, të cilin e kemi më të ulët në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Kjo kërkon vetëdije, çmimi që ka familja apo biznesi i vogël në fund të muajit nuk është çmimi real. Diferencën mes çmimit në faturë dhe atij real do ta mbulojë qeveria me qëllimin që çmimi të mos rritet por edhe kufizime të mos ketë.
Janë dy anë të një rrugë shumë delikate. Ajo që kërkoj nga të gjithë është të kursejmë energjinë sa të mundemi, të mos lëmë dritat ndezur kot. Nëse patëm mundësinë ta shtyjmë aplikimin e fashës 800kWh për t’i lehtësuar të gjithë psikologjkisht, kjo erdhi si rezultat i faktit se nevoja për energji u bë më e vogël se parashikimi. Qoftë kjo për shkak të kursimit apo të reshjeve. Por tetori nuk është muaji më sfidues, pas tij vijnë nëntori e dhjetori me të ftohtin. Ne duam që fasha të jetë një eksperiencë që përfundon me dhjetorin.
Të bëjmë të gjithë pjesën tonë. Nëse çdo abonent familjar dhe çdo biznes i vogël nuk shpenzon energjinë kot, ne jemi shumë të sigurt në këtë rrugë kaq delikate, sepse duam me patjetër të mos prekim çmimin apo t’i drejtohemi kufizimeve. Vendet e tjera po rrisin faturat, të gjithë keni të njohur e miq në Itali. Mjafton t’i pyesni për stresin që kanë për shkak të rritjes së faturave të energjisë në tërësi. Kosova ka filluar kufizimet e energjisë dhe aplikimin e fashës. Ne po ndjekim një rrugë të guximshme por edhe të rrezikshme.
Për të kaluar rrezikun të gjithë duhet të kontribuojnë. Sadopak në çdo kohë të ditës të kursehet, aq më shumë e garantojmë këtë rrugë. Kam bindjen se me rritjen e menjëhershme të pagave që ka hyrë në fuqi dhe që do jetë realitet në arkën e shumë familjeve, duke filluar që nga pensioni do jetë kjo një lehtësi e ndjeshme në krahasim me inflacionin e luftës.