TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Fshati turistik i Voskopojës në Korçë vijon të mbetet një nga destinacionet më tërheqëse për turistët vendas e të huaj ndërsa po shtohen kapacitetet pritëse për t’iu përgjigjur fluksit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale dëshminë e Panajot Falos, administrator i bujtinës “George” në Voskopojë.
“Nga Voskopoja në Greqi e pas 30 vitesh sërish në Voskopojë, aty ku fshati i magjishëm i kambanoreve, që u zhvesh nga feja gjatë komunizmit dhe u shfytyrua gjatë tranzicionit, ka rilindur e hijeshohet dita-ditës, teksa rrugicave të tij bubërrojnë turistët e dëgjohen gjithëfarë gjuhësh të huaja”, shkruan Rama.
Panajot Falo kujtoi ditën që iku nga Voskopoja kur mendoi se këmba nuk do i shkelte më aty.
“Ja që u gabova. Vendi yt shtëpia jote është shumë e shtrenjtë. Në vitet 1990-1991 fshati i Voskopojës ishte në një gjendje të vështirë. Si të gjithë të tjerët morëm rrugën e emigracionit. Bashkë me gruan shkuam në Zakynthos, punuam 30 vjet atje, lindën fëmijët, u rritën, studiuan. Puna ishte shumë e vështirë, ishim të rinj e punonim ditë e natë. Unë në ndërtim bëja vila guri, gruaja ndihmëskuzhiniere në një restorant. U rritën fëmijët dhe një ditë vendosëm të kthehemi në Voskopojë”, tregoi ai.
“Shikoja që Voskopoja ecte përpara. Mendoja që një ditë të kthehem dhe tashmë të hapja vendin tim. Me shumë sakrifica, por ia arritëm qëllimit. Jam shumë i kënaqur se jam në shtëpinë time, nuk më drejton njeri. Kur je në moshë të re të pëlqen emigracioni, të dalësh, të punosh, të fitosh sa më shumë lekë se në vendin tonë. Shkojnë në Gjermani, punojnë në punë të vështira, paguajnë qiranë, ushqimin, kur vjen puna nuk i mbeten aq sa këtu në Shqipëri”, theksoi Falo.
Falo tha se “në 4-5 vitet e fundit Voskopoja ka pësuar një ndryshim shumë të madh. Vendimi im ishte i duhuri në një vend të duhur. Kur kam investuar në shtëpinë time çdo gjë prek e shikoj më kujton prindërit fëmijërinë, mamanë, babanë dhe ndiej kënaqësi”.