TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot nga Fieri ku zhvilloi takimin përmbyllës elektoral për zgjedhjet vendore të 14 majit, se Shqipëria ndodhet në një moment kthese në ekonomi, pas shumë goditjeve që kaloi dhe brenda prillit të 2024 paga mesatare në vend do të jetë 900 euro.
“Sot Shqipëria ndodhet në një moment kthese të shumëpritur në ekonomi pas vështirësive të mëdha që kemi kaluar. Do të bëhet një ekonomi hap pas hapi, ku do të ketë shumë më tepër për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, të cilët na kanë mbështetur me shumicë dërrmuese gjatë gjithë këtyre viteve dhe dhe mbi të gjitha kanë duruar situata të vështira me të cilat na u desh të përballemi. Kanë duruar vite për të parë se si reformat kthehen jo thjesht si transformim jashtë shtëpisë, por edhe si ndryshim brenda saj”, tha Kryeministri.
Rama tha se shumë prej reformave, si ajo e pagave do të donte t’i ndërmerrte vite më parë, por se tërmeti, pandemia ashtu si dhe agresioni rus në Ukrainë që solli inflacion dhe rritje të çmimit të energjisë e bënë të pamundur. Kjo, sipas tij, për faktin se fondet do duhej të shkonin për të përballuar këto sfida dhe për të mbështetur direkt qytetarët.
“Parafytyroni që këto para të kishte qenë e mundur të shpërndaheshin para disa vitesh, po të mos kishim kaluar këto kriza, si tërmeti, pandemia agresionin rus në Ukrainë, do të kishim bërë më shpejt rritjen e pagave, siç ne e kemi dëshiruar”, shtoi ai.
Rama theksoi se sot ka nisur rritja historike e pagave në të gjithë sektorët, çka do të rendisë Shqipërinë në nivelin më të lartë në rajon për pagat .
“Sot, ne kemi hyrë në rritjen më të madhe historike të pagave dhe siç mund ta dëshmojnë mjekët, infermierët, punonjësit e sigurisë, mësuesit, pagat kanë nisur të rriten. Por këtë herë, për të mos u ndalur deri në prillin e ardhshëm, ku ne do të çojmë pagën mesatare në sektorin publik në 900 euro. Dhe Shqipëria do të renditet në nivelin e lartë të pagave në të gjithë rajonin tonë, pas një ringritje të gjatë e të vështirë nga Gjanica politike, ekonomike e morale ku na e lanë Shqipërinë, ata që kanë kurajon të kthehen e të kërkojnë votën tuaj sot”, deklaroi Kryeministri.
Duke folur për projektet në Fier, Rama u ndal te rehabilitimi i lumit Gjanica.
“Kur ne kemi nisur rrugën tonë të gjithë së bashku, këtu në Fier ju e mbani mend që në zemër të qytetit ky shesh nuk ekzistonte, por ishte e vështirë të ndaloje për shkak të erës që vinte nga lumi. Ky lum që sot i është shtuar Fierit si vlerë urbane, pjesë e transformimit të tij, ishte burim problemesh. Një shi si ky sot, bënte që lumi të dilte nga shtrati e të përmbyste bizneset në të dy anët, të ndërtuara në krye të herës me godina të shëmtuara që ne i hoqëm siç hoqëm ato nga shtrati i Lanës që në fillim të viteve 2000. Kur unë ju thashë se ne do të transformojmë Gjanicën në një mushkëri të re dhe do t’i jepnim Fierit mbrapsht lumin, si një aset për qytetin, shumëkush mendoi se ishte një premtim nga ato me të cilat njerëzit ishin mësuar. Ja ku janë sot Gjanica dhe shëtitorja që tanimë përshkon qytetin deri në fund. Ende nuk ka mbaruar puna dhe shumë detyra kemi para”, theksoi Kryeministri.
Sipas tij, flamuri kuqezi është arsyeja e të gjitha arsyeve për të shkuar vetëm përpara me Partinë Socialiste e kandidatët e saj në të gjithë Shqipërinë.
Në fund Rama e mbylli fjalën duke përkëdhelur socialistët e Fierit, por edhe të gjithë Shqipërisë. "Ua hëngsha zemrën socialistëve të Fierit dhe të gjithë Shqipërisë", tha ai, duke pasur me kërcimin me gratë.