AKTUALITET, 10 Maj 2023, 19:28

Dekriminalizimi/ KQZ dërgon për verifikim të thelluar 5 kandidatë për këshillat bashkiakë

Dekriminalizimi/ KQZ dërgon për verifikim të thelluar 5

Komisioneri Qendror i Zgjedhjeve në përfundim të verifikimit paraprak të formularëve të vetëdeklarimit (dekriminalizimit) në zbatim të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, në vlerësim të përmbajtjes së deklarimeve të bëra nga kandidatët për zgjedhjet e datës 14 maj, vendosi të dërgojë për verifikim të thelluar 5 kandidatë për këshillat bashkiakë:

Dedë Pali, kandidat për anëtar në këshillin bashkiak, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Konservatore” për Bashkinë Tiranë;
Erin Gjoni, kandidat për anëtar në këshillin bashkiak, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Social Demokrate” për Bashkinë Lezhë;
Mark Nika, kandidat për anëtar në këshillin bashkiak, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Social Demokrate” për Bashkinë Lezhë;
Dejson Kuqja, kandidat për anëtar në këshillin bashkiak, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Bindja Demokratike” për Bashkinë Elbasan;
Qazim Bici, kandidat për anëtar në këshillin bashkiak, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet” për Bashkinë Shijak.

Në mbledhjen e sotme, u vlerësua raportimi i veprimtarive me karakter publik i disa institucioneve, për periudhën 21 prill – 27 prill 2023. Gjatë kësaj periudhe janë raportuar 162 aktivitete nga 50 institucione. Nga të cilat, sipas verifikimit paraprak rezulton se 17 aktivitete të zhvilluara nga 8 institucione janë raportuar në tejkalim të afatit ligjor.

U vlerësua gjithashtu raportimi i veprimtarive publike për periudhën 28 prill-04 maj 2023. Në këtë periudhë janë raportuar 162 aktivitete, nga 50 institucione, nga të cilat, sipas verifikimit paraprak rezulton se 18 aktivitete të zhvilluara nga 9 institucione janë raportuar në tejkalim të afatit ligjor.