AKTUALITET, 17 Mars 2025, 10:00

Rama: Na duhet vetëm një vit e gjysmë për të vënë gjërat në vijë. Edhe këneta BE thotë gjithë ditën’, por vetëm PS integron Shqipërinë

Rama: Na duhet vetëm një vit e gjysmë për të

Kryeministri Edi Rama theksoi se me hyrjen në BE Shqipëria do të bëhet sa Evropa dhe Evropa sa Shqipëria.

“Kudo ku një shqiptar me pasaportën e BE do të gjendet dhe do të ketë nevojë për ndihmë dhe nuk do të ketë pranë ambasadë të Shqipërisë, ambasada më e afërt e BE do të jetë në dispozicion. Me hyrjen tonë në BE, Shqipëria bëhet sa Evropa dhe Evropa sa Shqipëria. Siç shkojmë nga Shkodra në Korçë me të njëjtën lehtësi, do të shkojmë nga Portugalia në Poloni, nga Shqipëria në Suedi. Pra, ndryshon komplet perspektiva. Këto janë zgjedhjet e 11 Majit në thelb. Për këtë arsye duhet të bëjmë çmos që në këto zgjedhje të marrim rezultatin më të mirë të të gjithë kësaj historie fitoresh, duhet të marrim fitoren me notën 10 duke filluar nga Tirana, ku qielli duhet të jetë kufiri. Llogaritë aritmetike nuk vlen në këto zgjedhje, por vlen llogaria e shqiptarëve në të shkuarën me të ardhmen. Na duhen 1 vit e gjysmë, jo më shumë, për t’i vënë të gjitha gjërat në vijë dhe për të përmbyllur gjithçka. Dhe më pas vetëm parlamentet e vendeve të tjera që do të jenë ngjarje historik më vete, ku çdo parlament do të votojë që të jetë anëtare e BE dhe do të çohet në këmbë të duartrokasë Shqipërinë.”, tha Rama.

‘Edhe këneta BE thotë gjithë ditën’, Rama: Vetëm PS integron Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama u kërkon votën shqiptarëve më 11 maj, duke bërë të qartë që vetëm PS mund ta integrojë vendin në BE. Ironizon edhe opozitën, kur thotë se edhe këneta gjithë ditën thotë “BE, BE”, por PS është e vetmja që garanton vijueshmërinë e punës për integrimin.

“Edhe këneta, BE-BE-BE thotë gjithë ditën, gjithë bretkosat BE kanë në gojë. Pse duhet të shkojë vota tek PS? Ky është një moment në histori, një dritare e hapur, një tren që është para nesh në stacion dhe ka ndalur me një kohë të caktuar, është 2027. Na është pranuar dhe kemi dakordësuar që deri në fund të 2027 do mbyllim negociata. Nuk janë as komente në Facebook, as postime në TikTok, as analiza nëpër klubet e natës, as fjalime. Negociatat janë një punë për të qëruar oriz në çdo ligj, nen, çdo sektor dhe një punë për të provuar se çdo gjë që shkruhet bëhet. Asnjë lëkundje, asnjë ndalim i kësaj pune, asnjë çoroditje nuk duhet lejuar të ndodhë. 11 maji duhet të jetë vula e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për ti thënë kësaj skuadre vazhdoni punën, sepse asgjë nuk lëviz. Drejtimi nuk lëviz, koha shfrytëzohet minutë për minutë dhe gjërat siç janë parashikuar bëhen afat për afat. Ky është një moment që çdo shqiptar duhet ta ndjejë dhe ta kuptojë se është pjesë e këtij procesi thjesht me votën e vet. Nuk i kërkohet të shkojë te dyqani të punojë për negociata, por me votën e vet të garantojë gjithë punën e negociatave”, tha Rama.