TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Prindërit e viktimave nga zjarri në Koça po bëjnë mburojë njerëzore para Spitalit të Koçanit dhe nuk po lejojnë që trupat e fëmijëve të tyre të vdekur të dërgohen për obduksion në Shkup.
Nga zjarri në diskotekën Pulse mëngjesin e sotëm kanë humbur jetën 59 persona të moshës 14-25 vjeç, shumica nga Koçani.
Prindërit janë të zemëruar pasi kanë pritur gjithë ditën para spitalit, duke kërkuar që të marrin trupat e të dashurve të tyre për t’i përgatitur për varrim.
“E gjithë bota e kuptoi pse vdiqën dhe si vdiqën”. Pse do të ulemi më këtu? “Nuk i japim fëmijët”, reagojnë ata.
Para spitalit ka siguri të shtuar policore dhe ka ardhur një prokuror nga Shkupi për të sqaruar procedurën.
Disa nga prindërit shkuan për të biseduar me përfaqësues të institucioneve për të rënë dakord për procedurat e mëtejshme.
Kujtojmë se qeveria shpalli 7 ditë zie në të gjithë vendin pas tragjedisë që mori 59 jetë në zjarrin në diskotekën Pulse në Koçan dhe u bëri thirrje të gjithëve që t’i përmbahen vendimit, “pasi dënimet për mosbindje do të jenë rigoroze”, thuhet në deklaratën pas seancës së jashtëzakonshme të qeverisë.
Gjithashtu, ngarkoi Inspektoratin Shtetëror të Tregut që të kryejë një inspektim të jashtëzakonshëm në objektet e hotelerisë (kabare, klube nate, disko dhe diskoteka të hapura) në tre ditët e ardhshme në territorin e vendit dhe të informojë menjëherë Qeverinë për gjetjet e inspektimit, “për të përcaktuar gjendjen faktike, nëse ato funksionojnë sipas standardeve dhe rregulloreve të vendit”.
Janë tërhequr të gjithë trupat e viktimave nga diskoteka e djegur në Koçan.
Tashmë është duke u bërë identifikimi i tyre.
Numri i të vdekurve nga tragjedia në Koçan ka shkuar në 59, derisa janë lënduar 155 persona, pesë prej të cilëve vec janë nis për trajtim jashtë vendit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski tha po ashtu se në koordinim me Prokurorinë Publike, janë privuar nga liria më shumë se 20 persona të dyshuar rreth ngjarjes në Koçan.
Ai para mediave, tregoi se aktualisht në stacionin policor ndodhen 15 persona.
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski ka bërë të ditur se ekziston dyshimi se kompania për diskotekën “Puls” ka pasur dy licenca, kurse njëra ka qenë e falsifikuar dhe në bazë të saj ka vazhduar të veprojë si diskotekë.
Mickoski premtoi se do të ketë përgjegjësi me emër dhe mbiemër.
“Kam dyshime se kompania ka licencë të falsifikuar me ryshfet, nga udhëheqësia e kaluar e Ministrisë së Ekonomisë. Duhet të ketë përgjegjësi me emër dhe mbiemër”, tha Mickoski.
Ai tha se biznesi ka funksionuar si kabare dhe gishtin për manipulime me licenca e drejton te ish-sekretari shtetëror i Ministrisë së Ekonomisë.