AKTUALITET, 5 Shkurt 2026, 22:37

“Rama është i frustruar”, Zogaj analizon deklaratat e kryeministrit ndaj gjyqtarëve: I kanë dalë nga duart

“Rama është i frustruar”, Zogaj analizon deklaratat e

Analisti Preç Zogaj, duke komentuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV deklaratat e kryeministrit Rama ndaj shoqatave të gjyqtarëve që kërkojnë të rritin pagat e gjyqtarëve me anë të një padie në Gjykatën Kushtetuese, u shpreh se reagimet e shefit të Ekzekutivit tregojnë një frustrim të përgjithshëm të tij ndaj drejtësisë, për të cilën mendonte se kishte në dorë.

“Unë mendoj se Rama është i frustruar në tërësi. Është pjesë e një frustrimi të përgjithshëm të kryeministrit ndaj drejtësisë, e cila ka filluar prej kohësh, jo vetëm tani, që në disa plane të dëshmojë atë pavarësi ndaj pushtetit ekzekutiv.

I ka dalë nga duart për ato pjesë që ai ka menduar se mund ta ketë. Bile, edhe gjithë retorika që ka ngritur kryeministri për krizën e drejtësisë në tërësi. Është pak arbitrare, sepse bën bashkë barin e njomur me të thatin.

Edhe tani po mendojnë që t'ia vënë flakën të dyjave.

Parlamenti që në krye të herës, kur u pa se do kishte boshllëqe nga vetingu, Ministria e Drejtësisë duhet të merrte masa për të plotësuar vendet vakante dhe për disa çështje për t'i kaluar në forma tjera shqyrtimi, siç janë arbitrazhi, siç janë ndërmjetësimet. Pra, ata e lanë kështu pas dore këtë pjesën e stoqeve dhe ky është problem që është krijuar.

Reforma në drejtësi nuk është bërë për të zgjidhur problemet e vjedhjeve të vogla që bëheshin nëpër problemet e mospagimit të dritave. Është bërë për të luftuar pandëshkueshmërinë në sferat e larta”- tha Zogaj.