AKTUALITET, 7 Gusht 2023, 22:20

Radhët e gjata në kufi, Balla do të takojë nesër homologun grek në Kakavijë

Radhët e gjata në kufi, Balla do të takojë nesër

Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Ministri Grek i Mbrojtjes së Qytetarit Ionais Ikonomou do të takohen nesër paradite në pikën kufitare të Kakavijës.

Lajmi u bë publik nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë dhe Ministrisë Greke të Mbrojtjes së Qytetarit, e cila thekson faktin se dy ministrat takohen për herë të parë mbas rikonfirmimit te Demokracisë së Re në zgjedhjet e fundit parlamentare në Greqi dhe emërimit të Ballës në krye te Ministrisë së re Brendshme.

Ministrat kanë zgjedhur Kakavijën për takimin e parë mes tyre, për të dhënë mesazhin se pavarësisht sezonit të pushimeve, të dyja palët kanë përveshur mëngët për të përballuar më së miri problematikat mes dy vendeve.

Radhët në kufi dhe përmirësimi i shërbimit për turistët e shumtë që lëvizin në kufirin dypalësh do të jetë pikënisja e bisedimeve. Sfida e parë është arritja e shërbimit brenda pak minutave dhe shmangia e radhëve të gjata, duke shtuar sportelet e shërbimin në dy anët e kufirit.

Lufta kundër krimit ndërkufitar dhe mirëfunksionimi i pikës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit që operon prej disa muajsh në Kakavijë do të jetë një tjetër çështje bisedimesh mes dy ministrave, dhe padyshim rritja e bashkëpunimit mes policive të dy vendeve në tërësi, janë sfidat e radhës për të cilat Ikonomu dhe Balla do të bisedojnë.

Mes palëve pritet të ketë bisedime edhe për operacionet e përbashkëta në luftën kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar.

Balla do të shoqërohet nga ambasadorja shqiptare në Greqi, Luela Hajdaraga, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.