AKTUALITET, 8 Tetor 2023, 18:31

Qytetarët marshojnë dhe ndezin qirinj për 3-vjeçarin që vdiq pas trajtimit në klinikë: Bluzat e bardha të shpëtojnë jetë, jo të marrin! (VIDEO)

Qytetarët marshojnë dhe ndezin qirinj për 3-vjeçarin

Dhjetëra qytetarë të Tiranës kanë nisur një marshim ditën e sotme në solidarizim me rastin e rëndë ku një 3-vjeçar humbi jetën pas trajtimit në një klinikë dentare në kryeqytet.

Qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të diel përpara klinikës private të Roland Xhaxhos në të cilën ndërroi jetë 3-vjeçari pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në gojë.

Me pankarta në duar, qytetarët janë mbledhur për një tubim sensibilizues si dhe  për të bërë homazhet e vogëlushit.

Qytetarët kanë shoqëruar marshimin e tyre me pankarta ku shkruhen mesazhe të ndryshme, mes të cilave edhe: Bluzat e bardha duhet të shpëtojnë jetë, jo të marrin.

Një familjare e viktimës 3-vjeçar Brian Spahiu është prononcuar për mediat dhe ka bërë thirrje për drejtësi.

‘Kjo që na ndodhi neve mos i ndodhtë askujt. Ai të marrë dënimin që meriton, se ne fëmijët se kemi më. Ai maskara po jeton me gjakun e djalit tonë. Duam drejtësi.’- tha familjarja.

‘Pse nuk flasin mjekët, po të ishte fëmija i tyre do flisnin’; ‘Bluzat e bardha janë të shpëtojnë jetë jo të marrin’; ‘Pse nuk reagon Urdhri i Mjekëve’ janë disa prej pankartave të qytetarëve të cilët janë duke zhvilluar një tubim sensibilizues në kujtim të vogëlushit 3-vjeçar Brian Spahiut.

Pas marshimit qytetarët kanë ndezur edhe qirinj në nder të të miturit që humbi jetën tragjikisht para disa ditësh.

Rasti tronditës i vdekjes së 3-vjeçarit si pasojë e një ndërhyrjeje kirurgjikale në gojë, është një ngjarje që padyshim ka alarmuar opinionin publik. 

Mjekimi u bë në fund të shtatorit, por vdekja e 3-vjeçarit pak orë pas ndëhyrjes në 14 dhëmbë, pas anestezisë totale.