AKTUALITET, 14 Tetor 2025, 19:58

Protesta për Veliajn para SPAK, Dumani: Ngjarje e shëmtuar, nuk u morën masa, u rrezikova edhe unë!

Protesta për Veliajn para SPAK, Dumani: Ngjarje e shëmtuar, nuk u

Protesta para godinës së SPAK pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj më 10 shkurt nga administrata e Bashkisë së Tiranës, ishte një ngjarje e shëmtuar që nuk duhet të përsëritet më. Kështu u shpreh kreu i SPAK, Altin Dumani sot në Komisionin e Ligjeve, teksa u pyet për këto çështje nga deputeti i “Mundësia”, Erald Kapri.

“Ishte një shfaqje e shëmtuar, isha atë ditë aty, ngjaje e shëmtuar. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë, u përjetua nga prokurorët. Në mënyrë institucionale njoftuam institucionet përgjegjëse, që nuk i kishin marrë masat e nevojshme. Sjell përvojën time, kur me vështirësi kemi kaluar, me rrezikun në turmat e njerëzve për të kaluar aty dhe ju e patë edhe vetë atë ditë, kisha emergjencë familjare, isha i detyruar që të bëja atë lëvizje se edhe mund ta vonoja dy orë, por isha i shqetësuar se kisha edhe trupën e shoqëruesve dhe mund të rrezikohej, por ata vepruan me profesionalizëm. Kjo ngjarje nuk duhet të ndodhë asnjëherë më”, u shpreh Dumani.

Kurse për deklaratat e bëra nga kryeministri Edi Rama pas arrestimit të Veliajt dhe a ka vija të kuqe për hetimin e kreut të qeverisë, të cilat SPAK nuk i shkel dot, ai u shpreh:

“E thashë edhe njëherë, sa i përket pyetjes së dytë, nuk ka rëndësi emri, por prova. Për sa kohë ka prova, nuk ka më rëndësi emri i personit. Deklaratën e kryeministrit e kam konsideruar si retorikë politike, nuk më interesojnë deklaratat por provat. Dhe nëpërmjet provave ndërtohen çështje të suksesshme”.

Dumani komentoi edhe për pyetjen e hetimit të kupolës së policisë të lidhur me krimin, duke shmangur interpretimet, duke u bazuar tek provat.

“Policia e Shtetit ka djem e vajza shumë të mirë për detyrën, e me të cilët në bashkëpunojmë. Për rastet që kemi pasur kemi vepruar dhe kemi goditur grupet kriminale”, u shpreh ai.

Në fund, Dumani u përgjigj edhe për ndryshimet në Kodin Penal, duke shpjeguar se ata po punojnë aktualisht për çështjet e posaçme që prekin edhe SPAK dhe nëse do kenë kundërshtime, do t’i bëjnë ato të ditura edhe publikisht.

“Kemi përgatitur një material përkatës se si ne i konsiderojmë këto ndryshime të Kodit Penal. Kemi përfunduar pjesën e përgjithshme, po punojmë për pjesën e posaçme, jemi ende në proces, për të vlerësuar çështjet me kompetencën tonë. Do japim mendimet tona më vonë, s’mund të themi gjë për momentin. Do paraqesim kundërshtimet tona nëse do kemi”, përfundoi ai.