AKTUALITET, 14 Tetor 2025, 17:40

Bylykbashi kritikon task-forcën e SPAK, Dumani: Nuk ka dështuar, por ka nevojë për përmirësim

Bylykbashi kritikon task-forcën e SPAK, Dumani: Nuk ka dështuar, por

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka raportuar në Kuvend për veprimtarinë e institucionit që drejton, për vitin 2024.

Teksa u pyet nga deputetët, Dumani u shpreh se Task Force për krimet zgjedhore u shtri në të gjithë vendin dhe theksoi se nuk dështoi, por se ka vend për përmirësim.

Dumani deklaroi se u regjistruan dhjetëra kallëzime dhe u bënë verifikimet e nevojshme.

“Ne në zbatim të rekomandimeve kemi krijuar një task-forcë për hetimin e krimit zgjedhorë në të gjitha Shqipërinë. Ajo nuk ka dështuar por ka vend për përmirësim. Ne kemi marrë seriozisht çdo kallëzim nga partitë apo qytetarët. Janë regjistruar procedimet penale nga ana ligjore. 10 raste janë regjistruar nga Prokuroria e Posaçme. Ne kemi vlerësuar të gjitha referimet e ardhura nga qytetarë dhe institucionet dhe janë regjistruar 44 procedime penale ndërsa në hetim janë 38 procedime.

Nuk janë shifra që përmbushi pritshmëritë tona por nga ana e SPAK janë bërë të gjitha veprimet e nevojshme. Aktualisht kemi një kryetar bashkie të pandehur për korrupsion aktiv. Kemi edhe një tjetër për korrupsion gjatë zgjedhjeve 2025. Kemi arrestuar edhe disa persona. Ka vend për të bërë më tepër. SPAK ka vetëm 20 prokurorë, s’jemi policia e shtetit, kemi detyrim ligjorë të ushtrojmë ndjekjen penale.

Kemi verifikuar çdo pretendim tuaj në kohë reale edhe në mes të natës. Madje ju edhe keni falënderuar Prokurorin e Posaçëm. Rasti në Shkodër, Korcë. Ne 20 prokurorë jemi. Unë nuk do doja të kishim asnjë rast korrupsioni në zgjedhje. Jam njësoj i shqetësuar si ju. Qytetarët duhet të votojnë te lirë. Në kaq kapacitet kemi”, deklaroi ai.