AKTUALITET, 6 Shkurt 2026, 09:44

Protesta e PD/ Muçollari: Së bashku i bëjmë presion Ramës; Qori: Kjo është “hiq priftin të vëmë hoxhën”. Berisha, i pandehur!

Protesta e PD/ Muçollari: Së bashku i bëjmë presion

Protesta e thirrur nga Partia Demokratike më 10 shkurt kundër qeverisë ka shkaktuar debat mes anëtarit të Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, dhe kreut të Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, në emisionin Quo Vadis.

Muçollari tha se e gjithë opozita duhet të dalë në protestë për një qëllim të përbashkët, largimin e Ramës, dhe më pas të diskutojnë se çfarë i ndan.

Por për Qorin, kjo nuk është as e ndershme dhe as morale.

Sipas tij, asnjë anëtar i Lëvizjes Bashkë nuk do ta mbështeste një protestë që synon të largojë Ramën për të sjellë në pushtet Berishën. Kjo per Qorin është “hiq priftin të vëmë hoxhën”

Pjesë nga biseda:

Muçollari: Thamë që presioni e bën Ramën të japë dorëheqjen. Por unë mendoj se presioni më i madh bëhet kur forcat opozitare flasin për atë që i bashkon. Nëse mes atyre kërkesave është qeveria teknike, kjo na ndan.

Qori: Na ndan oligarkia?

Muçollari: Nuk e dimë atë, është mendimi juaj. Ju folët për një kryetar partie të diskredituar.

Qori: Po.

Muçollari: Është ky kryetar partie që, pas rënies së komunizmit, është – apo kjo parti është – forca kryesore.

Qori: Shihni trendin, jo rezultatin e fundit.

Muçollari: Atë zotëri e kanë votuar 500 mijë qytetarë shqiptarë.

Qori: Krahasoje me vitin 2021.

Muçollari: Krahasoje edhe me çfarë ka kaluar.

Qori: Berisha është i pandehur.

Muçollari: Në respektin që kam ndaj tezave tuaja, pavarësisht se nuk i mbështes, do të doja të respektonit njerëzit.

Qori: Unë respektoj 500 mijë njerëz, por jo Berishën.

Muçollari: Për të rrëzuar Ramën, a është më i madh presioni?

Qori: Jo. Në rastin e Lëvizjes Bashkë, nëse mua “ma merr perëndia mendjen” dhe mbështes Berishën, ata njerëz nuk vijnë më me mua. Unë jam frymë.