AKTUALITET, 9 Dhjetor 2025, 11:26

Procesi/ KLP voton kandidatin e SPAK si drejtor të BKH, Joni Keta! Të pranishëm në sallë, përfaqësues të ambasadës së SHBA dhe BE

Procesi/ KLP voton kandidatin e SPAK si drejtor të BKH, Joni Keta! Të

Këshilli i Lartë i Prokurorisë u mblodh sot për të votuar Joni Ketën në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Mbledhja nisi në orën 11:00 dhe të pranishëm në sallë për procesin e votimit të kandidatit të SPAK janë edhe përfaqësues të ambasadës së SHBA dhe BE.

Aktualisht Joni Keta mban postin e zv.drejtorit të Byrosë dhe u propozua si drejtues në finale të një procesi që zgjati disa muaj.

Në garë për drejtimin e strukturës që ndihmon SPAK në hetime ishin 7 kandidatë, përfshirë zyrtarë të lartë policie, por edhe prokurorë.

Në mandatin e parë 5 vjeçar struktura e pagëzuar si “FBI-ja shqiptare” u drejtua nga Aida Hajnaj.

Sipas procedurës dhe rregullores, KLP do të votojë nëse e pranon propozimin e SPAK, për të zgjedhur Joni Ketën në krye të BKH-së, për një mandat 5 vjeçar.

Joni Keta arriti të fitonte në garën me 7 kandidatët e tjerë që kishte përballë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj dhe Gledis Nano.

Kush është Jon Keta

Me një karrierë në ngjitje si oficer i policisë gjyqësore pranë ish-krimeve të rënda e më pas hetues pranë BKH dhe zv.drejtor i komanduar këtyre dy muajve, Jon Keta mosha 37 vjeç i kaloi të gjitha pengesat e garës për në Byronë Kombëtare të hetimit.

Emri i tij u aprovua gjatë mbledhjes së komisionit të përzgjedhjes i përbërë nga 3 prokurorë dhe mbas dakordësisë iu propozua Këshillit të Lartë të Prokurorisë për t’u votuar që është institucioni i ngarkuar me ligj për emërimin dhe deklarimin e përfundimit të mandatit të drejtorit të BKH njohur si FBI shqiptare.

Jon Keta ka shërbyer për 15 vite në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore dhe njihet për rekordet në hetimet financiare dhe ndaj krimit të organizuar. Në një proces të tejzgjatur qe kapërceu edhe afatet e fundit të gushtit, në garë mbetën shtatë pretendentë dhe pasi komisioni i kontrollit të pasurisë dhe figurës i verifikoi dhe skualifikoi shumicën e tyre, të premten i përcolli një listë të ngushte fituesish komisionit të përzgjedhjes përbërë nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra.

Edhe pse zërat e përshkruan klimën e ftohtë mes tre prokurorëve që vjen nga krisjet e mëparshme të shkaktuara për BKH, akujt e të treve duket se u shkrinë nga kandidati Jon Keta që i bëri bashkë dhe që shpresohet të vendosë ura mes BKH dhe SPAK.

Në kushtet kur një klimë pakënaqësie e pat shoqëruar gjatë mbajtjes se mandatit 5 vjeçar drejtoreshën e BKH Aida Hajnaj , deri aty sa u harrua të përcillej nga SPAK në fund të funksionit, pritet që një marrëdhënie konfliktuale e tillë mos përsëritet më e KLP por edhe ndërkombëtarët të shpëtojnë nga ankesat qofshin të nga ana e SPAK qofshin nga BKH.

Sakaq 11 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në një njoftim më të hershëm kanë bërë publike një tjetër çështje të rëndësishme, siç është dëgjimi i katër kandidatëve që konkurrojnë për drejtimin e SPAK. Procesi për SPAK-un në KLP mbahet në datën 11 dhjetor.

Në garë janë katër prokurorë Doloresa Musabelliu, Adnan Xholi, Klodian Braho dhe Elvin Gokaj. Në 18 dhjetor përfundon mandati i kryeprokurorit të posaçëm Altin Dumani, dhe kreu i ardhshëm i SPAK sië edhe dy paraardhesit do të ketë mandat tre vjeçar.