AKTUALITET, 8 Dhjetor 2025, 23:06

Diplomati Ylber Hysa për Doktrinën Amerikane të Sigurisë: Është formale, mesazhet që sjell për Evropën

Diplomati Ylber Hysa për Doktrinën Amerikane të Sigurisë:

Diplomati nga Kosova, Ylber Hysa, në një lidhje me emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, duke komentuar Doktrinën e Sigurisë së prezantuar nga Shtëpia e Bardhë, u shpreh se ajo duhet parë më tepër si një dokument formal, sesa një doktrinë e vërtetë, që duhet zbatuar. Ai ndau edhe dy mesazhe që sipas tij përcjell për Evropën ky dokument.

“Kjo doktrinë, kjo strategji, duhet kuptuar brenda një doktrine anti-Nikson, e asaj të famshmes që dëshironte të forconte Kinën për t'i bërë karshillëk Rusisë.

Tani duket që po ndodh e kundërta. Dëshiron të mbyllet lufta në Ukrainë, që të vendoset një fokus afatgjatë ndaj Kinës si një problem i rivalitetit më afatgjatë karshi Amerikës dhe në këtë aspekt.

Evropa kundrohet ndryshe, brenda një qasje jotradicionale që nuk e ruan unitetin transatlantik, por në anën tjetër, e thekson nevojën që Evropa të mbrohet vetë, që do të thotë që ajo e famshmja për GDP-në 5 për qind tani do të jetë një realitet i ri në Evropë, e cila do të bëjë gjithsesi një transformim serioz të kapacitetit mbrojtës të Evropës, të industrisë së saj ushtarake, të rritjes së forcave ushtarake, nga se është një mesazh direkt që Evropa duhet të mendojë për veten, dhe kjo, besoj, është njëri prej mesazheve më direkte.

Mesazhi tjetër i dytë që nuk është vërejtur shumë për mua dhe që ka rëndësi për të gjithë ne aludohet që nuk mund të ketë më zgjerim të luftës dhe kjo, besoj, është shumë e rëndësishme edhe për rajonin tonë.

Interesante dhe atipike është që prezentimi i kësaj doktrine kaq të rëndësishme u bë në ora 22:00, në orën lokale në Uashington dhe nuk u përcoll me asnjë lloj eventi tjetër, me asnjë lloj interviste përcjellëse apo promovimi tjetër dhe ndoshta kjo do të thotë që dokumenti duhet parë më shumë formal sesa diçka që është e vërtetë dhe që i përgjigjet vetë natyrës së Trump-it.”- tha Hysa.