AKTUALITET, 8 Dhjetor 2025, 22:11

Abilekaj: Ramiz Alia donte pluralizëm mendimi, por jo demokraci dhe pluralizëm politik

Abilekaj: Ramiz Alia donte pluralizëm mendimi, por jo demokraci dhe

Analisti Enton Abilekaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, duke komentuar Lëvizjen e Dhjetorit ’90 dhe qëndrimin e udhëheqjes së asaj kohe, u shpreh se Ramiz Alia donte të bënte një kalim të butë nga diktatura në një shoqëri më të hapur, por se ai ishte kundër pluralizmit politik.

“Nuk mund të themi se një grusht studentësh, një grup intelektualësh, një pjesë elitare, ishte aq e fortë sa të rrëzonte një regjim si ai. Regjimit po i vinte fundi për shkak të rrethanave ndërkombëtare, nuk kishte mundësi ekonomike. Ramizi me shembujt që kishte parë, Çaucesku, përplasjet në Poloni, me gjithë këto, mendoi të bënte kalim të butë nga diktatura në një shoqëri pak më të hapur.

Ai donte pluralizëm mendimi, kalimin me disa si Fronti Demokratik, një lloj demokratizimi më të madh, por jo demokraci dhe jo pluralizëm politik.

Regjimi ishte aq i egër, sa njerëzit kishin frikë. Ata u morën me autobuz nga policia dhe u kthyen me autobuz nga policia, nuk vajtën vetë aty. Grup studentësh dhe pedagogësh, një pjesë i zgjodhi pushteti dhe një pjesë studentët. Imagjino presionin që kanë patur ata.

Të dielën që u sulmuan te gjuhët e huaja, mezi i pranonin edhe në shtëpi tiranasit”- tha Abilekaj.