AKTUALITET, 8 Dhjetor 2025, 22:42

Ish-dhjetoristi Trako: Zogaj gaboi rëndë që pengoi largimin e Berishës nga mbledhja e PD në dhjetor ‘90. Profecia që i tha Ismail Kadare për Doktorin

 

Ish-dhjetoristi Trako: Zogaj gaboi rëndë që pengoi largimin e

Edmond Trako, intelektual i njohur, bashkëthemelues i PD-së në dhjetor ’90 dhe pjesëmarrës në Lëvizjen e Dhjetorit 35 vite më parë, në një lidhje telefonike me emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, kujtoi ato ditë, duke iu drejtua Preç Zogajt në studio se kishte penguar studentin Shenasi Rama që të nxirrte jashtë takimit Sali Berishën dhe ai mbeti aty, duke marrë drejtimin e PD-së. Trako kujtoi edhe një thënie të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare që e qortoi Zogaj duke parashikuar atë që do të bënte Berisha me PD-në dhe vendin.

“Ajo nata e famshme, ku Preçi që e mban mend shumë mirë, kur Shenasi Rama nuk e linte liderin e ardhshëm (Berisha) që të futej në sallë.

Bile ishte bashkë me Pashkon. Atje ka bërë një nga gabimet më të mëdha, po atëherë nuk njiheshim nga afër dhe prej që ndoshta se mban mend, po unë i kam ndërhyrë që të mos e linte të hynte.

Po Preçi insistonte dhe i thoshte Shenasiut: Lëre se është doktor.

E tha edhe Kadare, që, ç'na ke bërë o Preç me këtë lobim që bëre dhe me këtë mbështetje, ndërsa Preçi i tha: Po ta provojmë një herë po keni kohë që ta heqim. Kur të mbarojë ajo prova, i tha, do ta shikosh se sa vonë do të jetë, ia ktheu Kadare, shprehje që e vërtetoi koha për dekada me radhë dhe e kemi peshqesh akoma.

Fatkeqësisht, atë parti, mbasi e dominuan lëvizjen, e manipuluan, e pushtuan si të duash, e deformuan Ramiz Alia me emisarin e tij kryesor dhe me Sigurimin e Shtetit që e mbushi Partinë Demokratike me spiunë, me informatorë.

Nuk është e rastësishme që në atë listën e themeluesve ka ngelur vetëm një njeri atje, Berisha.

I pari që është përjashtuar nga Partia Demokratike, me një procedurë skandaloze dhe është gjallë, ka qenë Frok Çupi”- tha ndër të tjera Trako.