AKTUALITET, 10 Korrik 2026, 19:49

Princ Leka bëhet baba për herë të dytë, publikon foton familjare me djalin dhe Blertën

Princ Leka bëhet baba për herë të dytë, publikon foton

Oborri Mbretëror Shqiptar ka njoftuar lindjen e Lartësisë së Tij Mbretërore, Princ Aleksandër i Shqiptarëve, djalit të Lartësive të Tyre Mbretërore, Princit të Kurorës Leka II i Shqiptarëve dhe Princeshës Blerta.

“Princ Aleksandri lindi paraditen e së premtes në orën 11:11 më 10 korrik 2026. Lartësia e Saj Mbretërore, Princesha Blerta, solli në jetë Princ Aleksandrin në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, në Tiranë. Princ Aleksandri lindi me peshë 3kg 115g.

Princesha Blerta dhe Princ Aleksandri gëzojnë shëndet të plotë. Princi i Kurorës dhe Princesha Blerta shprehin mirënjohjen e tyre të sinqertë ndaj ekipit mjekësor të Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” për kujdesin e jashtëzakonshëm, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë kësaj ngjarjeje të gëzueshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Oborrit Mbretëror Shqiptar.