AKTUALITET, 10 Korrik 2026, 18:32

“Më kërkoi ndihmë, s’e njoha, ishte e larë në gjak”, dëshmia tronditëse e fqinjes së 32-vjeçares që u plagos nga ish- burri: Arriti të zbriste shkallët dhe ra përtokë te dera

“Më kërkoi ndihmë, s’e njoha, ishte e larë

Detaje të reja mbi krimin brenda familjes, që çoi në plagosjen e rëndë të një gruaje 32-vjeçare në Durrës. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të ditës së sotme, ku 32-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve, u plagos rëndë me thikë.

Detaje mbi ngjarjen ka dhënë një fqinjë e së plagosurës, e cila i ka dhënë asaj ndihmën e parë. E plagosura jetonte me qira në katin e dytë të një godine 3-katëshe në lagjen 16. Sipas dëshmisë së fqinjës, gjithçka ka nisur rreth orës 3:00 të mëngjesit të sotëm, kur është dëgjuar një zë i mbytur që kërkonte ndihmë me dëshpërim.

“Dëgjova një zë të thellë që thoshte “Ndihmë, ndihmë!”. Dola te dera dhe ajo më tha: “Ndihmë se më kanë çarë me thikë”. Nuk po e njihja dot në fillim, ishte e larë në gjak e tëra”, rrëfen fqinja e tronditur.

Sipas saj, e plagosura kishte arritur të zbriste vetë shkallët nga kati ku banonte, duke rënë përtokë pranë derës në katin e parë. Fqinja tregon se pas kësaj kanë njoftuar ambulancën dhe policinë.

E pyetur nëse u godit nga ish-bashkëshorti i saj, fqinja u shpreh se nuk kishte dijeni, po tha se e plagosura ishte e divorcuar dhe se ish-burri i saj jetonte në Elbasan.

Sipas dëshmisë, gruaja jetonte vetëm dhe nuk shoqërohej nga persona të tjerë.

Në lagje ajo njihej si një grua e qetë që shkonte çdo ditë në punë, ndërsa fëmijët jetonin te njerëzit e saj.

Fqinja theksoi se në atë shtëpi nuk kishte parë asnjëherë të futej ndonjë mashkull apo ish-bashkëshorti i saj, të cilin nuk e njihte.

Ndërkaq burime policore bëjnë me dije se nga hetimet rezulton se çifti Karaj ishte ndarë, por kanë tentuar të ribashkohen. Nata e kaluar ka përfunduar sërish në konflikt të dhunshëm e më pas në krim.

Forcat e policisë me të marrë njoftim kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë kryer kontrolle, si dhe kanë marrë në pyetje për të zbardhur dinamikën e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë me autor të dyshuar ish-bashkëshortin e të plagosurës Xhoni Karaj 40 vjeç i cili vazhdon të jetë në kërkim policor, pasi dyshohet se u largua nëpër natë nga vendi i ngjarjes.

E plagosura ndodhet në reanimacionin e spitalit të Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.