AKTUALITET, 15 Tetor 2025, 16:09

Presidenti Begaj letër Gjykatës Kushtetuese: Shpallni moskompetencën për çështjen e Veliajt! Anuloni bllokimin e procesit të zgjedhjeve në Tiranë

Presidenti Begaj letër Gjykatës Kushtetuese: Shpallni

Presidenti Bajram Begaj, i është drejtuar me një letër Gjykatës Kushtetuese, ku ka kërkuar shpalljen e moskompetencës për çështjen e Erion Veliajt, i cili ka ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra si kryetar i Bashkisë Tiranë.

Në këtë letrën e dërguar nga Sekretarja e Përgjithashme Valbona Lusha, Presidenca i kërkon Gjykatës Kushtetuese të heqë pezullimin e dekretit në fillim të seancës së 31 tetorit, duke argumentuar se pezullimi ka penguar zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Bashkinë Tiranë.

Të rrëzojë kërkesën e Veliajt, duke e cilësuar atë si të pabazuar në nenin 115 të Kushtetutës dhe të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të nisë përgatitjet për zgjedhjet e reja në Bashkinë Tiranë, në një datë që do të caktohet nga Gjykata Kushtetuese, por jo më herët se 30 ditë pas hyrjes në fuqi të vendimit përfundimtar.

Institucioni i Presidentit të Republikës, në cilësinë e palës së interesuar, i kërkon Gjykatës Kushtetuese:

Të deklarojë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 moskompetencën lidhur me dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;
Të vendosë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 heqjen e pezullimit për dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;
Të vendosë në përfundim të seancës rrëzimin e kërkesës së Kryetarit të shkarkuar të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, si të pabazuar në nenin 115 të Kushtetutës;
Për shkak se pezullimi ka pamundësuar zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë në datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës, të urdhërojë në përfundim të seancës KQZ-në për përgatitjen e zgjedhjeve për këtë bashki në datën që do të përcaktojë Gjykata Kushtetuese, datë e cila nuk duhet të jetë më e hershme se 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në vlerësimin tonë si palë e interesuar, vetëm një procedim i tillë mund të rikthejë kushtetutshmërinë e këtij procesi ankimor, të cenuar në mënyrë arbitrare nga vetë Gjykata Kushtetuese.