TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Erion Veliaj ka depozituar një kërkesë zyrtare pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përmes së cilës kërkon shpalljen e pavlefshmërisë dhe papërdorshmërisë së akteve hetimore të kryera nga Prokuroria e Posaçme.
Në kërkesën e tij, Veliaj rendit të gjitha ato që i konsideron shkelje nga Prokuroria e Posaçme lidhur me hetimin ndaj tij.
Lidhur me hetimin ndaj tij, në kërkesën e zgjeruar drejtuar GJKKO-së, kryebashkiaku Veliaj konstaton se:
* Hetimi i çështjes nga një shtetas që nuk ka pasur kurrë statusin ligjor të prokurorit, pra një person që juridikisht nuk ka qenë asnjëherë prokuror sipas legjislacionit shqiptar;
* Ushtrimi i ndjekjes penale nga një person në konflikt të pastër interesi me subjektin e hetimit;
* Përdorimi i një kallëzimi penal të falsifikuar si bazë për nisjen e hetimeve, pa asnjë verifikim të identitetit të kallëzuesit;
* Kryerja e veprimeve hetimore pa regjistrim të procedimit penal, për të shmangur afatet, kontrollin gjyqësor dhe kufizimet ligjore;
* Tejkalimi i afateve hetimore përmes fshehjes së statusit të personit nën hetim;
* Sekuestrimi dhe përdorimi i të dhënave kompjuterike pa vendim gjykate dhe leximi i korrespondencave private në mungesë të çdo baze e autorizimi ligjor;
* Cenimi i së drejtës për mbrojtje efektive, përmes refuzimit të kohës së nevojshme për njohje me aktet;
* Përdorimi i ekspertëve të varur nga vetë organi i akuzës, në kundërshtim me standardet e paanshmërisë;
* “Fraksionimi” i çështjes si një mjet për të cenuar të drejtën për mbrojtje dhe sigurinë juridike;
Përdorimi i medias si zgjatim i akuzës, përmes rrjedhjeve të qëllimshme, manipulimit të opinionit publik dhe mosveprimit institucional kur sekreti hetimor rrjedh në publik.
Kërkesa me 77 faqe, e cila është depozituar tashmë në GJKKO, dokumenton me prova shkeljet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, për shkak të të cilave Veliaj kërkon pavlefshmërinë e hetimeve të kryera ndaj tij, dhe rikthimin e ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe paanësisë së hetimit.