AKTUALITET, 18 Gusht 2025, 13:21

Dëshmia/ U gropos në arën me misër, zbardhet dosja e vrasjes së Enver Bajraktarit, autori i dyshuar: S’kisha qëllim ta vrisja, por…!

Dëshmia/ U gropos në arën me misër, zbardhet dosja e vrasjes

Top Kolshi, i dyshuar për vrasjen dhe groposjen e Enver Bajraktarit në Baicë të Lipjanit, ka dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku është mbrojtur me pretendimin se nuk ka pasur qëllim të kryejë krimin.

Në seancën dëgjimore të 13 gushtit, Kolshi tha se viktima kishte qenë në pronën e tij dhe e kishte sulmuar, ndërsa ai është penduar për veprën. “Nuk kam pas arsye dhe as qëllim ta mbys, por jam penduar. Ka qenë në pronën time dhe më ka sulmuar në pronën time”, deklaroi i dyshuari.

Në vendim thuhet se mbrojtësi i të dyshuarit Kolshi, avokati Halim Shala ka propozuar që ndaj të mbrojturit të tij të bëhet ekzaminim psikiatrik.

“E kundërshtojmë kërkesën e prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit, meqenëse kjo mase ka të bëjë me sigurinë e klientit tim për shkak të raporteve që kane me familjen e viktimës pasi që jetojnë në të njëjtin vend, le te mbetet si e tillë në këtë fazë me propozim që gjatë kësaj periudhe të bëhet një ekzaminim psikiatrik për Kolshi me të cilën do të vërtetohet dhe argumentohet në mënyrë objektive gjendja e afektit mendor, respektivisht të vërtetohet se në kohën e kryerjes së veprës penale i njëjti a ka qenë në gjendje të kuptoj veprimet e veta”, citohet deklarimi i Shalës.

Familjarët nisën kërkimet dhe më 4 gusht në orën 12:10 e gjetën trupin e tij pa shenja jete.

Nga autopsia rezultoi se Bajraktari kishte lëndime në trup dhe kishte humbur jetën si pasojë e ngufatjes. Gjithashtu, pamjet e kamerave dhe dëshmitë e banorëve konfirmuan se viktima dhe Kolshi kishin pasur mosmarrëveshje të hershme.

Në banesën e Kolshit, policia gjeti një armë zjarri tip “Zastava” dhe 50 gëzhoja, ndaj ai po hetohet edhe për “mbajtje të paautorizuar të armëve”.

Mbrojtja kërkoi ekzaminim psikiatrik për të, por gjykata theksoi se duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën e fshehjes së trupit, rrezikun e përsëritjes dhe faktin që i pandehuri ka precedentë penalë, masa e paraburgimit është e domosdoshme.

Nga të dhënat rezulton se Kolshi ka dy dënime të mëparshme, njëri për vepër kundër jetës dhe trupit, ku viktimë besohet të ketë qenë pikërisht Bajraktari.

Policia gjeti trupin e groposur më 4 gusht, një ditë pasi Bajraktari u raportua i zhdukur. Ndërsa më 12 gusht, pas hetimeve, u arrestua i dyshuari kryesor, Top Kolshi