AKTUALITET, 11 Shkurt 2023, 20:27

Policia e Tiranës procedon penalisht tre protestuesit: Njëri kishte uniformë të vjetër policie

Policia e Tiranës procedon penalisht tre protestuesit: Njëri kishte
Incidentet gjatë protestës Foto LSA

Tre personat të cilët u ndaluan në protestën e sotme të opozitës do të procedohen penalisht nga autoritetet.

Policia e Tiranës njofton se një prej të ndaluarve, shtetasi me iniciale G.H. 21 vjeç është konstatuar me një uniformë policie me logo dhe stema të vjetra.

Në momentin që është kërkuar verifikimi i tij, i riu ka paraqitur një dokument të vjetër policie e cila dyshohet se ishte e falsifikuar.

Gjithashtu janë proceduar edhe dy shtetas të tjerë me iniciale G.A. 30 vjeç dhe E.Gj. 45 vjeç pasi hodhën lëndë plasëse në shkallët e kryeministrisë.

Pas shoqërimit të tyre nëpër komisariate, deputetë të Partisë Demokratike kanë bërë thirrje për lirimin e tyre.

Njoftimi i policisë së Tiranës:

Në kuadër të masave të ndërmarra për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë tubimit të ditës së sotme, shërbimet e Policisë kanë vijuar monitorimet në terren, për mbarëvajtjen e tubimit dhe për evidentimin e çdo paligjshmërie.

Gjatë monitorimeve, rreth orës 12:15, në afërsi të  dy kullave, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një shtetas të veshur me uniformë policie me logo e stema të vjetra, e cila nuk përdoret aktualisht nga shërbimet e Policisë.

Në momentin e ndalimit për verifikim nga shërbimet e Policisë, ky shtetas ka paraqitur një dokument të vjetër Policie, të dyshuar të falsifikuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, kanë shoqëruar në ambientet e këtij komisariati, shtetasin G. H., 21 vjeç, banues në Durrës, dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore u procedua penalisht, në gjendje të lirë, për veprat penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Gjithashtu, janë shoqëruar dhe proceduar penalisht në gjendje të lirë  shtetasit G. A., 30 vjeç dhe E. Gj., 45 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Vijon puna për evidentimin e personave të tjerë që kanë hedhur lëndë piroteknike në drejtim të Policisë dhe institucioneve shtetërore.