AKTUALITET, 22 Shtator 2023, 18:37

Plani ‘ambicioz’ i qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik dështon? Ja çfarë tregojnë shifrat reale

Plani ‘ambicioz’ i qeverisë për rritjen e pagave në

Në fillim të këtij viti, Qeveria shpalli një plan ambicioz për rritjen e pagave në sektorin publik, edhe si një masë nxitëse për sektorin privat, por zhvillimet reale tregojnë se, pesha e shpenzimeve për paga me totalin e alokimeve buxhetore ka shënuar rënie në 12 vitet e fundit.

Sipas treguesve buxhetorë, në 7-mujorin e vitit 2012, fondi i pagave për sektorin publik ishte sa 18.8% e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore, ndërsa më 2023 ishte sa 16.8% e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore (shiko grafikun e më poshtë).

Megjithëse në vlerë, fondi i pagave është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ritmet ishin më të ulëta se rritja e totalit të shpenzimeve publike. Të dhënat tregojnë për një rënie sistematike të peshës së shpenzimeve paga gjatë dekadës së fundit.

Qeveria prezantoi në prag të zgjedhjeve lokale një plan ambicioz për rritjen e pagave të punonjësve buxhetorë, që nisi nga prilli 2023 dhe do të vijojë në dy vitet e ardhshme, me qëllim dyfishimin e tyre me 2025.

Fatura buxhetore e janar-korrik për pagat e sektorit publik ishte rreth 55 miliardë lekë më një rritje vjetore 15%. Rritja erdhi kryesisht nga masat që u morën për dyfishimin e pagave në nivelet e larta të drejtimit, Presidentit, deputetet dhe ministrat dhe një kategori e kufizuar mjekësh specialistë.

Buxheti i shtetit këtë vit arkëtoi të ardhura shtesë me 12,1 miliardë lekë në 7-mujor, ndërsa fondi i pagave në të njëjtën periudhë u rrit me 7 miliardë lekë.

Më shumë se sa një faturë buxhetore, rritja e pagave në vitin e parë të reformës së prezantuar nga qeveria vetëm sa shtoi pabarazinë.

Punonjësit në shërbimet themelore të vendit, mësuesit, mjekët dhe infermierët dhe trupa policore në terren morën vetëm 7% rritje të pagës, ndërsa funksionet e larta të qeverisëse, deputetet, ministrat dhe zv.ministrat përfituan rritje të pagës nga 50-98% sipas vendimeve të fundit me reformën e pagave që po diskutohet në Kuvend.

Paga e Ministrave u rrit, pas zgjedhjeve vendore të prillit me 82%, duke shkuar në 310,250 lekë në muaj nga 174,760 lekë që është aktualisht. Rritje me mbi 72% shënoi edhe paga e kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit, ndërsa paga më e lartë në vend, ajo e Presidentit, që është në krye të hierarkisë së pagave, arriti me 425.000 lekë nga 257, 000 lekë që është aktualisht me rritje 65%.

Por nga ana tjetër, trupa më e madhe e administratës përfitoi nga 1 prilli i këtij vetëm 7% rritje. Praktikisht, rritja reale e pagave të tyre është zero për qind pasi rritja është vetëm një indeksim me inflacionin i cili vitin e kaluar ishte 6.7%.

Teksa vendet e rajonit vijuan reformat e rritjes së pagave për punonjësit ë thjeshtë edhe këtë vit, Shqipëria renditet si vendi me pagat më të larta të funksionarëve publikë dhe me pagat më të ulëta të personelit në shërbimet bazë publike, arsim, shëndetësi dhe rend./Monitor