AKTUALITET, 30 Korrik 2023, 21:26

Përdori “Nafijen e dybekut" dhe ca "nona" për festën në Përmet, reagime të ashpra pas reklamës së Ramës

Përdori “Nafijen e dybekut" dhe ca "nona" për

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ndjekësit e tij në rrjetet sociale për një festë të quajtur “Nona” që do organizohet në Përmet në datat 11-12-13 Gusht. Sipas tij në këtë festë të “veçantë” do të mblidhen gjyshet shqiptare nga anë e mbanë vendit.

Por kjo festë ka ngjallur reagime të shumta pasi cilësohet si një festë e sajuar artificialisht dhe që nuk është fare e pranishme në kulturën shqiptare.

Lëvizja Shpreson dhe Elona Caslli në reagimet përkatëse në rrjetet sociale thonë se festa e “Nonës” thirret nga personazhi i Nafijes, që dikur tundte dybekun për udhëheqjen, ndërsa tani e lë dybekun në mes të fushës, kur e thërrasin ca nona të tjera që dalin në rrugë dhe bëjnë autostop.

Por festa e Ramës cilësohet një tallje e mirëfilltë me moshën e tretë dhe me të gjithë nonat e këtij vendi. Gjithashtu video e Ramës sipas tyre përdor 3 Nafije të Partisë për të keqpërfaqësuar gjyshet e Shqipërisë.

Reagimi nga Elona Caslli:

Nafijet e Partisë nuk janë gjyshet e Shqipërisë Edi Rama.

Një festë e sajuar artificialisht, që nuk është hiç e pranishme në kulturën shqiptare, do të bëjë bashkë në Përmet të gjithë nonat e Shqipërisë. Festa e Nonës thirret nga personazhi i Nafijes, që dikur tundte dybekun për udhëheqjen, ndërsa tani e lë dybekun në mes të fushës, kur e thërrasin ca nona të tjera që dalin në rrugë dhe bëjne autostop.

Sipas Edi Ramës një nonë shqiptare del në mes të rrugës, ngre gishtin dhe ndalon një makinë. Shoferi ështe një djalë i ri që e pyet; Për ku je ti plake?! Nona përgjigjet: Për në Përmet të keqen nona.

Teksa djali i ri pranon ta çojë nonën,që ka bërë autostop në Përmet, kjo e fundit thërret Nafijen që është në mes të fushës duke tundur dybekun; Nafije, eja se do shkojmë në Përmet.

Kur mbërrijnë në Përmet, Nafija e dybekut lëshon ftesën: Merre gjyshen dhe eja në Përmet. Mesazhi përmbyllet me disa gjyshe që ngjisin shkallët dhe Nafija u thotë; Nxitoni, o gra!.

Kjo është një tallje e mirëfilltë me moshën e tretë. Është një tallje e mirëfilltë me të gjithë nonat e këtij vendi. Është një video që përdor 3 Nafije të Partisë për të keqpërfaqësuar gjyshet e Shqipërisë.

Nafijet e Partisë nuk janë gjyshet e Shqipërisë Edi Rama. Gjyshet e Shqipërisë nuk bëjnë autostop për të shkuar diku. Presin djalin apo vajzën t'i çojnë me makinë nëse duan të shkojnë diku e në rast se djali apo vajza janë në emigrim, marrin taksistin e lagjes, por kurrsesi nuk bëjnë autostop.

Nafijet e Partisë nuk janë gjyshet e Shqipërisë Edi Rama. Gjyshet e Shqipërisë në këto ditë zhuritëse vere gjenden në shtëpi dhe e ndezin kondicionerin me orar, pasi fatura në fund të muajit nuk është fort e përballueshme për pensionin që kanë. Në rast se nuk kanë një kondicioner, ndezin freskuesen dhe gjatë periudhës së dimrit gjyshet e Shqipërisë i sheh me shishe plastike të mbushur me ujë të ngrohtë, pasi nuk e përballojnë dot faturën e kripur të energjisë elektrike me pensionin që kanë dhe po të mos ishte për fëmijët në emigracion, pensioni që kanë nuk do t'u dilte as për ilaçe.

Nafijet e Partisë nuk janë gjyshet e Shqipërisë Edi Rama. Në pjesën dërrmuese të rasteve gdhihen dhe ngrysen vetëm dhe u duhet edhe të punojnë ndonëse kanë dalë në pension. Dritare Tv ose thënë ndryshe " Zëri i Popullit" i Rilindjes, ka nxjerrë videon e një mësueseje që detyrohej të shiste fruta e perime se nuk i dilte pensioni. Të kesh dhënë një jetë mësim dhe në moshën e pensionit të dalësh e të shesësh në rrugë se pensioni nuk të del. Ky është bilanci Edi Rama.

Nafijet e Partisë nuk janë gjyshet e Shqipërisë Edi Rama. Gjyshet janë kategoria më e poshtëruar për shkak të pensionit që marrin. Një grua që ka punuar një jete dhe arrin moshën e pensionit duhet të jetë financiarisht e pavarur për t'i siguruar vetes ushqimin, ngrohjen dhe ilaçet. Nuk po flas për pushime se gjyshet e Shqipërisë në ndryshim nga Nafijet e Partisë i kanë harruar se ç'janë.

Nafijet e Partisë nuk janë gjyshet e Shqipërisë. Janë Nafije që përdoren si dordolecë propagande për të sajuar një realitet që nuk ekziston.

Gjyshet e Shqipërisë janë gra, që punuan dhe rritën fëmijët dhe gjenden me një pension qesharak mujor dhe pikërisht se shqiptarët nuk duan të përfundojnë si gjyshet e Shqipërise në moshën e pensionit, bëjnë gati valixhet dhe ikin nga sytë këmbët.

Post Scriptum- Nafijet e Partisë në ndryshim nga gjyshet e Shqipërise nuk e dinë se ç'është fjala Dinjitet.