TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sali Berisha, në një konferencë për mediat, publikoi një tjetër video që sipas tij komisionerët diktojnë votën e zgjedhësve. Duke përsëritur se 11 maji ishte një farsë elektorale, Berisha u ndal te rinumërimi, proces i cili deri më tani i ka humbur vota, teksa tha se ishte një kërkesë e kandidatëve të saj dhe jo e vetë PD-së.
“Rinumërimi i votave nuk është një kërkesë e PD-së.Rinumërimi i votave është kërkesë e kandidatëve të saj, të cilëve ne kurrë, në asnjë rrethanë, në asnjë rast nuk mund t’u mohojmë një të drejtë të tillë. Ndaj dhe të nderuar zotërinj, që flisni për numërimin, përpiquni të jeni të saktë në ato që thoni. Teza e PD është: vota vdiq pa hyrë në kuti”, tha Berisha.
Berisha thotë se me ‘fushatën’ që ka nisur jashtë vendit për të faktuar farsën elektorale nuk ka të bëjë me nxirjen e imazhit të Shqipërisë, një koment që duket se i adresohet deklaratës së Etilda Gjonat, e cila deklaroi një ditë më parë në Asamblenë Parlamentare te KiE se opozita ka deinformuar sa i përket përdorimit të administratës për zgjedhjet.
“Dhe ata që kritikojnë opozitën se po turpëron Shqipërinë, ata janë turpi i turpit të njeriut, turpi i turpit të Shqipërisë. Ata që pretendojnë se qenka e turpshme të denoncosh dhunimin e votës, të denoncosh kartelet e drogës, ata janë turpi i turpit të njeriut dhe turpi i turpit të Shqipërisë dhe kjo opozitë nuk do jetë kurrë e tillë. Do bëjë detyrën e saj.”, shtoi Berisha.
Më tej, vijoi me akuzat se dy ‘balozët’ e zinj të krimit elektoral janë Edi Rama dhe Altin Dumani, kreu i SPAK. I pyetur se beteja e tyre në vjeshtë do të jetë në parlament apo mosbindje civile, Berisha tha se do të jetë e gjithanshme.
“Beteja është e gjithanshme. Ne këto që bëjmë, i bëjmë për dy arsye, për të hedhur dritë, së pari si detyrim ndaj shqiptarëve, së dyti ndaj komunitetit ndërkombëtar me bindjen më të thellë se, problemin do ta zgjidhin vetë shqiptarët dhe opozita. Natyrisht beteja do të jetë shumëplanëshe, komplekse. Është një betejë shumë e gjerë, shumë komplekse, por me bindjen tonë më të thellë që do fitohet. “, tha kreu i PD.
Ndërkohë pyetjes se çfarë masash do të marrë për të garantuar votën e lirë në zgjedhjet e pjesshme që pritet të mbahen në disa bashki për shkak të vakancave, Berisha paralajmëroi se do të ndjekë të njëjtën ‘strategji’, duke mos i njohur.
“Do zhvillohet farsa e radhës. Me edi ramën ka vetëm farsë. Kjo është e vërteta.”, tha Berisha.