AKTUALITET, 24 Qershor 2025, 10:30

'Jam takuar me Martinajn'/ Nëna e Santiago Malkos përplaset me Leonard Dukën në sallën e gjyqit: Do të të vras Më fute djalin në dhe, s’do ta fal gjakun kurrë

'Jam takuar me Martinajn'/ Nëna e Santiago Malkos përplaset

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është zhvilluar sot seanca gjyqësore për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019 në zonën e Xhamllikut në Tiranë.

Të pandehur në këtë proces janë Leonard Duka, Erlis Duka, Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe Oltian Loga, të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal që dyshohet se ka planifikuar dhe ekzekutuar Malkon, i njohur si "krahu i djathtë" i Ervis Martinaj.

Në këtë seancë, pritej dëshmia e babait të Leonard Dukës, Muhamet Duka, por ai nuk u paraqit për shkak të problemeve shëndetësore. Avokatja e tij dorëzoi në gjykatë një raport mjekësor.

Ndërkohë, Leonard Duka ka dhënë dëshminë e tij, duke mohuar që të ketë pasur llogari në aplikacionin “Sky ECC”. Ai deklaroi se nuk ka pasur një të tillë, nuk di asgjë për kodet dhe nuk ka pasur kontakte me persona që e kanë përdorur këtë aplikacion. Për një foto të gjetur në komunikimet e “Sky”, Duka u shpreh se nuk është ai në imazh.

Në vijim të dëshmisë, Duka pranoi se e kishte takuar Ervis Martinajn, por mohoi të ketë pasur komunikime të tjera me të.

Përfaqësuesi i SPAK, Behar Dibra, i bëri disa pyetje të tjera për Leonard Dukën, përfshirë edhe rreth babait të tij, por ai deklaroi se i ati nuk ka pasur asnjë problem.

Prokuroria ka dorëzuar prova të reja në dosje, duke përfshirë edhe komunikime të zbardhura në “Sky ECC”, që sipas saj përforcojnë lidhjet mes Leonard Dukës dhe Ervis Martinajt.

Një moment tensioni ndodhi në sallë, kur nëna e Santiago Malkos shpërtheu në akuza dhe u nxor jashtë nga trupa gjykuese. “S’të fal gjakun e djalit kurrë, do ta vras! Më fute djalin në dhe”, është dëgjuar të thotë ajo mes lotësh.

Seanca u shty dhe gjykata urdhëroi përsëritjen e fletëthirrjes për Muhamet Dukën, që të paraqitet dhe të dëshmojë në seancën e radhës.

Nëna e Santiago Malkos është përplasur në sallën e gjyqit me Leonard Dukën, autorin e dyshuar të ekzekutimit të 26-vjeçarit, duke e kërcënuar se do ta vrasë.

Ajo iu është drejtuar duke i thënë që “ma fute djalin në dhe”, ndërsa theksoi se nuk do t’ia falë kurrë gjakun.

“S’ta fal gjakun e djalit kurrë do të vras. Me fute djalin në dhe”, tha nëna e Santiago Malkos.

Pas tensioneve në sallë, gjykata ka nxjerrë jashtë nënën e viktimës.

“Është sallë gjyqi, s’mund të bëhet çfarë t’u dojë qejfi”, thanë togat e zeza.

SPAK mësohet se ka sjellë prova të reja në SKY ECC ku janë zbardhur komunikimet mes Leonard Dukës dhe Ervis Martinaj.

Pjesë nga seanca në GJKKO:

Avokatja pyet Dukën: A keni pasur SkyEcc

Leonard Duka: Jo

Pyetet për kodin

Duka: Se kam idenë

Avokati: Keni pasur kontakte me persona që kanë pasur sky?

Leonard Duka: Jo s’kam patur asnjë kontakt

Pyetet lidhur me një foto të gjetur në Sky

Leonard Duka: Nuk jam unë

Behar Dibra: Me Ervis Martinaj keni komunikuar keni pasur kontakte?

Leonard Duka: Po e kam takuar

Behar Dibra: Po komunikime të tjera?

Leonard Duka: Jo

Behar Dibra: Po babai juaj ka pasur ndonjë problem e keni ndarë me njeri?

Leonard Duka: Babai im s’ka pasur asnjë problem