AKTUALITET, 6 Qershor 2023, 15:31

Pas Mustafa Nanos e Vasilika Hysit dalin të tjerë emra, propozimet e reja për ambasadorë në Londër, Berlin, Ankara dhe Tel Aviv

Pas Mustafa Nanos e Vasilika Hysit dalin të tjerë emra, propozimet e

Zbardhen të tjerë emra të rinj të propozuar për ambasadorë, që do të përfaqësojnë vendin tonë në Londër, Berlin, Telaviv dhe Ankara. Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu ka siguruar emrat e të propozuarve.

Kështu, mes emrave të propozuar është dhe ai i Uran Ferizit, i cili është një kandidat për të përfaqësuar vendin tonë në Mbretërinë e Bashkuar,  duke zëvendësuar  ambasadorin Qirjako Qirkjon.

Blerta Kazadej propozohet për ambasadore në Turqi si dhe ambasadore rezidente për Azekrbaxhanin, Iranin, Kirgistranin, Pakistanin, Gjeorgjinë, Afganistanin dhe Kazikistanin. Ajo zëvendëson ambasadorin Kastriot Robo. Adia Sakiqi aktualisht ambasadore në Gjermani propozohet për të zëvendësuar ambasadorin Artur Kuko.

Meri Kumbe propozohet për ambasadore në Izrael. Kurse Ilir Gjoni aktualisht ambasador në Zvicër propozohet të shkojë ambasador në NATO pas daljes në pension të ambasadorit aktual, Visho Ajazi Lika.

Vendin e Gjonit propozohet ta zërë analisti, Mustafa Nano, i cili me parë ka qenë pjesë e shërbimit diplomatik. Vendin e lënë bosh të ambasadorit në Emiratet e Bashkuara nga Ermal Dredha, i cili kandidoi dhe fitoi si kryebashkiak i Vlorës, propozohet për t’u zëvendësuar nga Ridi Kurtezi aktualisht ambasador në Malin e Zi.

Ish-nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi është përzgjedhur për të drejtuar Misionin e Përhershëm të Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Ndërsa diplomacinë shqiptare në kryeqytetin e Austrisë, Vienë pritet ta drejtojë ish-deputeti socialist Fate Velaj. Ervin Bushati, ish-deputet dhe ish-drejtues i PS Tiranë, është favorit për të zëvendësuar ambasadoren Floreta Faber në SHBA. Të propozuarit fillimisht do të paraqiten për dëgjesa në Komisionin Parlamentar të Punëve të Jashtme e më pas fjalën e fundit me dekret e thotë presidenti i Republikës, Bajram Begaj.