AKTUALITET, 6 Qershor 2023, 13:34

Tenderi abuziv i MSH, Gjykata cakton ‘arrest shtëpie’ për biznesmenin

Tenderi abuziv i MSH, Gjykata cakton ‘arrest shtëpie’ për

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për biznesmenin, Vladimir Topi që i dha ryshfet sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro për të marrë një tender.

Ndërsa është lënë në qeli Silvi Shehi, inxhinieri i kompanisë ‘Dricons’, e cila u shpall fituese e tenderit të MSH-së.

Vladimir Topi i dha një shumë prej 330 mijë lekësh Joana Duros, me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë, me objekt supervizimin dhe rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës.

Shuma e parave është marrë në banesën e administratorit nga Silvi Shehi, i cili ja ka dhënë më pas zyrtares tjetër, Laureta Sheto, që ishte personi që kishte njohje dhe mbante kontakte me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale.

Dy zyrtaret, Joana Duro dhe vartësja e saj Laura Sheto u lanë në burg nga GJKKO me vendim të datën 5 qershor për veprat penale “Korrupsionit pasiv dhe aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.