AKTUALITET, 10 Nëntor 2022, 13:29

Parlamenti arenë fyerjesh, Xhafaj: Retorikë e turpshme, dëmton imazhin e Shqipërisë

Parlamenti arenë fyerjesh, Xhafaj: Retorikë e turpshme, dëmton

Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj komentoi nga foltorja e kuvendit sharjet dhe fyerjet që u përdoren dje në Parlament, kryesisht nga kryeministri Edi Rama, i cili sulmoi opozitën me fjalë si “bedel, të pafytyrë, të pa atdhe”, etj.

Xhafaj tha se fryma e debatit normal, dhe etikës politike, tashmë është zëvendësuar nga konflikti i ashpër politik i ndërtuar mbi batutën fyese, shprehjet përçmuese dhe jo rrallë ordinere, retorikën e ashpër, gjuhën e baltës dhe shpifjen.

Gjë që sipas Xhafajt dëmton imazhin e Shqipërisë.

“Fryma e debatit normal, konsensusit politik dhe etikës politike, tashmë është zëvendësuar nga konflikti i ashpër politik i ndërtuar mbi batutën fyese, shprehjet përçmuese dhe jo rrallë ordinere, retorikën e ashpër, gjuhën e baltës dhe shpifjen.

Dëshpërimisht kjo lloj qasje e gabuar është shndërruar në normalitet dhe instrument i të ashtuquajturës luftë politike. Kjo sallë dhe çfarë ndodh këtu është arsyeja kryesore përse ka shifra kaq të larta negativiteti në sondazhet e barometrave të ndryshëm që na ndëshkojnë fort.

Por edhe pse ka kaq shumë pesimizëm jashtë saj, veçanërisht te të rinjtë që vazhdojnë të largohen nga vendi. Kjo retorikë e turpshme, ca më keq, ka dalë edhe jashtë kësaj salle në gjuhë të huaja, në mediat e botës.

Dëm më të madh nuk mund ti bëhet imazhit të vendit”, tha Xhafaj.