AKTUALITET, 9 Prill 2026, 09:54

'Paraburgimi'/ Rishikimi i praktikave të masave të sigurisë, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë tërhiqen për vendim

'Paraburgimi'/ Rishikimi i praktikave të masave të

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë pritet të marrin sot në shqyrtim një çështje me rëndësi të veçantë, që lidhet me rishikimin e praktikës gjyqësore për vendosjen e masave të sigurisë, përfshirë dhe ate të arrestit me burg, apo paraburgimit!

Burime bëjnë me dije se zëvendësprokurori i përgjithshëm, Arqile Koca, ka kërkuar që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura.

Sipas tij, kjo kërkesë lidhet me faktin se çështja konkrete që ka nxitur këtë shqyrtim është ende në proces dhe po trajtohet në një seancë paraprake në Gjykatën e Lartë.

Nga ana tjetër, avokati Luan Hazneziri është shprehur se çështja ka interes të lartë publik dhe, për këtë arsye, duhet të jetë e hapur për publikun, të paktën në pjesën që lidhet me njëhsimin e praktikës gjyqësore.

Në përfundim të seancës, Kolegjet e Bashkuara janë tërhequr për të marrë vendimin, i cili pritet të ketë ndikim në mënyrën se si do të interpretohen dhe zbatohen masat e sigurisë në vijim.

Sipas njoftimit publik, qëllimi është të sigurohet një praktikë gjyqësore më e njëtrajtshme dhe në përputhje me standardet kushtetuese, ligjore dhe ato të Konventës Evropiane për kufizimin e lirisë personale.

Nga ana tjetër kjo iniciativë shënon ushtrimin për herë të parë, të kompetencës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë, sipas nenit 438 të Kodit të Procedurës Penale për ndryshimin e pjesshëm të një praktike të njësuar.