TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës Taulant Balla, së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, zhvilluan një vizitë në shkollën profesionale “Charles Telford Erickson” në Golem.
Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi rolin kyç të arsimit profesional në zhvillimin e turizmit dhe përgatitjen e të rinjve për tregun e punës, duke vënë në dukje ndikimin e këtij sektori në ekonominë kombëtare.
“Nga kjo shkollë dalin profesionistët e duhur për ekonominë tonë turistike. Sot kemi 12 milionë turistë dhe 1,5 miliardë euro investime të huaja në vit. E kthyem turizmin në motorin kryesor të ekonomisë së vendit”, deklaroi Balla.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për rritjen e cilësisë dhe standardeve në sektorin e turizmit, duke nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe konkurrues në rajon.
Duke folur për sezonin e ri turistik, Balla u shpreh optimist për pritshmëritë e këtij viti dhe ecurinë e rezervimeve, sidomos në zonën e Golemit. “Jemi para një sezoni të ri turistik, i cili këtu në Golem pothuajse ka nisur në 15 prill, ndërsa maksimumi në 1 maj hotelet do të jenë të mbushura. Viti 2026 pritet të shënojë një rekord historik për turistët që vizitojnë Shqipërinë”, tha ai.
Një tjetër fokus i fjalës së Ballës ishte bashkëpunimi mes shkollave profesionale dhe bizneseve, si një model që duhet të shtrihet në gjithë vendin. “Ajo që ka risi kjo shkollë është partneriteti shkollë-biznes dhe ne duam ta shtrijmë në gjithë vendin. Bizneset kanë një detyrë që duhet ta kryejnë, duke rritur pagat”, përfundoi Balla.