AKTUALITET, 8 Prill 2026, 20:24

Mbushi Venecian me drogë/ Shqiptari arrestohet në Spanjë, pjesë e organizatës që trafikoi 4 tonë kokainë

Mbushi Venecian me drogë/ Shqiptari arrestohet në Spanjë,

Një 28-vjeçar shqiptar, i akuzuar si pjesë e një organizate të madhe të trafikut të drogës në Itali, është arrestuar në Spanjë, ku fshihej prej disa vitesh.

Ai dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohet se ishin të përfshirë në trafikimin e një sasie prej 4 tonësh kokainë, e destinuar për tregun italian. Grupi u godit gjatë një operacioni në vitin 2022, ndërsa shqiptari ishte shpallur në kërkim që prej asaj kohe.

Sasia e drogës shpërndahej kryesisht në rajonin e Venetos, në zonat e Cittadella dhe Padovës.

Autoritetet italiane njoftuan sot, më 8 prill, se kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë, ndërsa identiteti i tij nuk është bërë publik.

Hetimet nisën pas dëshmisë së një bashkëpunëtori me drejtësinë pranë Karabinierëve në Cittadella. Ky i fundit kishte qenë i përfshirë edhe në një hetim të mëparshëm në vitin 2022, pas sekuestrimit të një ngarkese prej 4 tonësh kokainë nga Drejtoria Antimafia e Triestes dhe Policia Financiare e Venecias. Megjithatë, 28-vjeçari ishte zhdukur pa lënë gjurmë.

Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti evropian. Prokuroria e Padovës, në bashkëpunim me Karabinierët, arriti të rindërtojë rrjetin e furnizimit përmes gjurmimit të lëvizjeve të dy korrierëve që merrnin drogën nga shqiptari.

Më pas, kokaina shpërndahej në zonën e Padovës së Sipërme, sipas mediave italiane.

Gjurmët e tij çuan hetuesit në Spanjë, pas udhëtimeve të shpeshta që babai i tij kishte kryer drejt Barcelonës. Aktualisht, 28-vjeçari do të mbahet në burgun e Montorios në Verona, në pritje të ekstradimit.