AKTUALITET, 27 Tetor 2025, 11:00

"OSBE-ODIHR damkosi 11 majin si farsë"/ PD bashkoi votat me PS dhe votoi pro ngritjes së dy Komisioneve të Posaçme, Berisha: Me Ramën nuk ka zgjedhje të lira, por…!

"OSBE-ODIHR damkosi 11 majin si farsë"/ PD bashkoi votat me PS

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në Kuvend sqaroi arsyen se pse deputetët demokratë votuan pro ngritjen së dy Komisioneve të Posaçme, për reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale.

I bindur se me Ramën nuk ka zgjedhje të lira, Berisha deklaroi se ndihen të detyruar që rekomandimet e OSBE ODIHR për zgjedhjet e 11 majit të kthehen në ligj.

Po ashtu ai tha se reforma Territoriale ishte një “anti reformë që u vendosën standardet e pabarazisë maksimale”.

Berisha: Ne sot votuam ngritjen e këtyre dy komisioneve për dy arsye themelore.

Së pari janë një seri e pafundme e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, të cilat ne i kemi pranuar dhe besojmë se janë të rëndësishme.

OSBE/ODIHR ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe në raportin e fundit damkosi në mënyrë përfundimtare si një farsë e shëmtuar zgjedhore, zgjedhjet e 11 majit.

Në këtë kontekst, ne ndjehemi të detyruar ndaj tyre që orientimet e drejta dhe rekomandimet e drejta, t’i kthejmë në ligj, ndonëse deklarojmë se në mënyrë absolute me Edi Ramën, shqiptarët nuk do votojnë kurrë si qytetarë të lirë.

Kjo është e vërteta.

Së dyti, reforma territoriale ishte një antireformë, në të cilën u vendosën standardet e pabarazisë maksimale.

Mjafton të rikujtoj këtu se qarku i Gjirokastrës me 120 mijë banorë ka 7 njësi, qarku i Tiranës me mbi 1 milion banorë ka 4 njësi.

Sigurisht që ne do bëjmë gjithçka që këto padrejtësi maksimale të largohen, të anulohen dhe kjo me ndihmën e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.

Pra, kjo është arsyeja se pse ne i votuam këto dy komisione, ndonëse me bindjen më të thellë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, me Edi Ramën nuk ka votë të lirë.

Është vetëm vendimi i qytetarëve ai që do u rikthejë shqiptarëve votën.

Është përpjekja e opozitës ajo që do u rikthejë shqiptarëve votën.