AKTUALITET, 18 Korrik 2025, 10:42

"Nuk zgjati shumë...", zv.drejtori i Burgjeve konfirmon takimin "special" të Laert Haxhiut me modelen, kundërshton avokati

"Nuk zgjati shumë...", zv.drejtori i Burgjeve konfirmon takimin
Laert Haxhiu

Zv.drejtori i Burgjeve, Femi Sufaj pranoi takimin e të dënuarit përjetë, Laert Haxhiu me një modele nga Kosova. Ndonëse në media ka qarkulluar lajmi se mund të jenë dy vajza të tjera të showbizit, që kanë zhvilluar takime me të dënuarit në burgun e Reçit, zv.drejtori i Burgjeve, mohon të ketë raste të tjera.

Sufaj tha për Report TV se vetëm gjatë muajit qershor në burgje janë bërë 100 takime intime, duke iu referuar vetëm takimeve të të burgosurve me bashkëshortet ose bashkëjetueset, takime të cilat lejohen me ligj.

Ndërkohë, sa i takon rastit të Haxhiut, Sufaj thotë se modelja në fjalë ka ardhur si e afërme dhe është futur në takim. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një takim të zgjatur, por është zhvilluar në dhomat e vizitave, duke theksuar se Drejtoria e Burgjeve ka marrë masa administrative pas këtij rasti.

“Në qershor janë bërë shumë takime ku 7 mijë e ca takime janë me familjarët, mbi 1 mijë me avokatët dhe 100 janë intime. Sipas ligjit këto takimet e intime janë takime duhet që të jenë bashkëshortët ose bashkëjetuesit e të dënuarit. U konstatua një shkelje e procedurave në burgun e Korçës, ku e cila vjen si e afërme dhe futet në takim. Dhe ne kemi marr qëndrimet tona administrative dhe nuk është konstatuar që të jetë një rast i dytë nuk është takim i zgjatur, por takim në dhomën e vizitave, gjithë kjo zhurmë nuk dihet pse po bëhet’, tha ai.

Ai tha se gjatë 1 viti janë sekuestruar 100 telefona, të cilët më pas ekzaminohen dhe i dërgohen prokurorisë. Sugaj thotë se 50% e sendeve të ndaluara futen në qeli nga familjarët.

‘Janë 100 telefona të sekuestruar në 1 vit në burgje. Telefonat ekzaminohen dhe kalojnë edhe në prokurorinë e posaçme, është detyrim që çdo send kontrabantë në burg referohet në prokurori dhe më pas është prokuroria ajo që vijon hetimet. Di që edhe punonjës policie që janë dënuar për futje kontrabandë në burg. Më para kishim sende të ndaluara nga posta, nga familjarë. 50 për qind e sendeve të ndaluara janë futur nga vizitat me familjarët. Ata kontrollohen, por mund të jenë nga pakujdesia e stafit, raste korrupsioni ose mund të hidhen edhe nga muret rrethuese’, tha ai.
I pyetur nëse ka mungesë stafit në burgje, ai e mohoi këtë. Sipas tij, Janë 4524 punonjës dhe nuk është reduktuar numri i stafit. 

‘Jemi në një situatë shumë komode sa i përket strukturës organike. Disa institucione janë mbyllur dhe organika është ajo që ka qenë. Janë 4524 punonjës që kemi sot dhe nuk është reduktuar numri i stafit’, tha ai.

Detar Hysi, avokat i të dënuarit me burg përjetë, Laert Haxhia, ka reaguar pas lajmeve se klienti i tij ka zhvilluar takime "speciale" në burgun e Drenovës me persona të paautorizuar, konkretisht modelen Ziza Pajaziti.

“Si mbrojtës ligjor i të dënuarit Laert Haxhia, dua të sqaroj opinionin publik se lajmi për takime me persona të paautorizuar është i pavërtetë. Ky i dënuar nuk ka kryer asnjë veprim të tillë,” thuhet në deklaratën e avokatit.

Detar Hysi thekson se kjo çështje aktualisht është në hetim nga Prokuroria e Korçës dhe shpreh besimin se e vërteta do të dalë në dritë përmes rrugës ligjore.

Kohët e fundit në media kanë qarkulluar lajme se Laert Haxhiu ka zhvilluar një takim "special" brenda burgut të Drenovës me modelen nga Kosova, Ziza Pajaziti. 

Ky takim sipas raportimeve në media, u zhvillua përmes mashtrimit pasi modelja do takonte një të dënuar tjetër, por në këtë takim ishte Laert Haxhiu.

Objekt verifikimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve janë edhe dy raste të tjera pas raportimeve në media se dy vajza të njohura të shoëbizit kanë hyrë në ambientet e sigurisë së lartë për takime jashtë protokollit në burgun e Reçit.