AKTUALITET, 17 Korrik 2025, 18:35

Zjarr në Poshnje, flakët shkrumbojnë hektarë me pemë frutore dhe ullinj! Helikopterët e ushtrisë në ndihmë për fikjen e vatrave

Zjarr në Poshnje, flakët shkrumbojnë hektarë me pemë

Një zjarr ka rënë sot në fshatin Poshnje në bashkinë Dimal. Flakët e zjarrit janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga era dhe temperaturat e larta, duke rrezikuar shumë banesa që ndodheshin pranë.

Në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse të Dimalit dhe Beratit si dhe forcat e ushtrisë së Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë në Poshnje.

Zjarrfikësit kanë bërë të mundur lokalizimin e shpejtë flakëve dhe kanë shmangur rrezikun e përhapjes së tyre drejt shtëpive. Për fikjen e zjarrit në fshatin Poshnje kanë ndihmuar edhe helikopterët e ushtrisë, me hedhjen e ujit nga lart.

Aktualisht zjarri është fikur, ndërkohë që zjarrfikësit janë duke monitoruar disa vatra që vazhdojnë të jenë të nxehta, për të shmangur rrezikun e riaktivizimit të tyre.

Si pasojë e zjarrit janë shkrumbuar shumë hektar pemë frutore dhe ullinj, por ende nuk ka një përllogaritje të saktë të dëmeve të shkaktuara nga zjarri në këtë zonë.