AKTUALITET, 21 Nëntor 2022, 22:33

“Nuk jam futur me metodat e Erion Veliajt”/ Adriana Kalaja e bindur se do të fitojë primaret në PD: Nuk bëj qoka, këto që kam arritur unë nuk i ka arritur asnjë

“Nuk jam futur me metodat e Erion Veliajt”/ Adriana Kalaja e bindur
Adriana Kalaja

Avokatja Adriana Kalaja tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se do ta fitojë ajo garën e primareve në PD për bashkinë e Tiranës sepse nuk është futur në garë me metodat e Erion Veliajt dhe se ka fituar ndaj kreut të bashkisë gjyqin në Gjykatën Kushtetuese.

“Një grup i strukturuar kriminal që drejtohet nga Erion Veliaj i është sulur pronave private. Ajo çfarë po ndodh me zonën e 5 majit, që nisi me Astirin, Laprakën e do të vazhdojë në Paskuqan, te Bregu i Lumit, në Shkozë, është qartazi jo një shkelje flagrante e ligjit, por qartazi grabitje e pronës private. Shembet shtëpia, i merret prona një qytetari, pa vendim shembjeje, pa plan rregullues të qytetit dhe ç’është më tragjike nxirren fëmijët jashtë me gaz lotësjellës dhe nuk kompensohen banorët për atë që ua ka siguruar ligji dhe kushtetuta. Pra janë përjashtuar nga kompensimi sepse një bandit tjetër që drejton Agjencinë e Kadastrës i skualifikon nga legalizimi, megjithëse banorët kanë mbi 20 vite në atë pronë.

Rakipi: Ju jeni 7 kandidatë te primaret dhe gati përqafoheni me njëri-tjetrin. Pse?

Kalaja: Unë sot fola shumë qartë, se ishte takimi i fundit. Thashë që dua të fitoj garën e primareve, nuk jam futur për të bërë qoka dhe as për të thënë se jemi shumë të mirë të gjithë, sepse barazia për mua është koncept komunist. Kam të mirat e mia, kontributet e mia, difektet e mia dhe askush nga kundërshtarët e mi. Nuk jam futur me metodat e Erion Veliajt, me kamera as para as mbrapa. Unë kam një kontribut modest, por besoj se kam dhënë maksimumin për t’i treguar Tiranës se unë bashkinë mund ta drejtoj ndryshe.

Rakipi: Pse fitoni ju dhe jo Këlliçi?

Kalaja: Jo me emra, por do të fitoj ndaj të gjithëve. Betejën për Tiranën do të fitojë unë sepse unë nuk kam frikë t’ia përmend emrin Veliajt, jam në 18 gjyqe me të dhe më kryesorja unë kam treguar se si fitohet ndaj Erion Veliajt. E kam mundur në betejën në Gjykatën Kushtetuese. Këto që kam arritur unë nuk i ka arritur asnjë nga këta”.