AKTUALITET, 21 Nëntor 2022, 21:26

"Marina ndërtohet rreth vitit 2040!"/ Sejamini: Alabbar do të investojë 80 milionë euro dhe do të fitojë 1.1 miliardë euro! 

"Marina ndërtohet rreth vitit 2040!"/ Sejamini: Alabbar do
Neritan Sejamini

Neritan Sejamini ka folur për projektin e qeverisë për prishjen e Portit të Durrësit dhe ndërtimin e një marine dhe pallateve në vend të tij. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit", Sejamini tha se Alabbar do të investojë 80 milionë euro nga paratë e veta dhe fitimi pritet të jetë rreth 1.1 miliardë euro. 

Pjesa dërrumuese e projektit do të financohet nga shitja e apartamenteve. 

"Edhe pse është quajtur porti turistik i Durrësit, porti është vetëm 3-4%. Është projekt 20 vjeçar dhe faza e parë mbaron në vitin 2030. Në fazën e parë, do të ndërtohen 4 mijë apartamente, një hotel dhe 20 mijë metra katrorë hapësirë komerciale.  Deri në 2030 nuk ka marinë.

Nga viti 2030 deri në vitin 2043, pavarësisht se kur, marina është gjëja e fundit që do të ndërtohet. Do të bëhen apartamente dhe hotele të tjera. Porti mund të ndërtohet diku nga viti 2040. Deri atëherë kemi vetëm pallate, hotel dhe mjedise tregtare.

I gjithë projekti do të kushtojë 2 miliardë euro. Ky nuk është investim i huaj, pasi vetëm 80 milionë euro do të financohen nga investitori i madh. 80 milionë të tjera do të merren kredi me kolateral, tokën tonë. Pjesë tjetër do të vijnë nga shitja e apartamenteve dhe hoteleve. Pra 94% e kostos së projektit do të vijë nga shitja e apartamenteve.

Në ndryshim nga projektet e ndërtimit, këtu toka merret me zero lek. Formula e financimit të këtij projekti është formula tipike e financimit të ndërtimeve në Tiranë.

Të ardhurat janë parashikuar në 3.2 miliardë euro. Kemi një investitor që do të investojë 80 milionë euro dhe të fitojë 1.1 miliardë euro", deklaroi Sejamini.