TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Analisti Andi Bushati dhe deputetja e PS-së, Ermonela Felaj, debatuan në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV për premtimet që po bën PS-ja përmes kryeministrit Rama se do ta anëtarësojë Shqipërinë në BE para vitit 2030. Bushati tha se deri një dekadë më parë retorika e PS ka qenë se ne kemi bërë detyrat, por është konjuktura e BE që nuk na do dhe prandaj ne po penalizohemi, tani po u kërkohet vota shqiptarëve me hipokrizi, sikur janë arritjet që na integrojnë dhe jo konjuktura.
Pjesë nga debati
Bushati: Ka dy gjëra që nuk më shkojnë dhe nuk jam dakord. Më duket rrëfim i pasinqertë. E para, zonja Felaj thotë që unë kështu u futa në PS në 2009, mu hap një vend i sigurtë, u larguan disa të tjerë dhe e njëjta gjë po ndodh. Problemi është që fakti që jeni futur edhe ju kështu, mund të ketë qenë gabim. Mundet edhe të jeni futur gabim dhe të dilni gabim. Një parti demokraitke dhe moderne nuk i pjell personazhet nga hiçi. Nuk mundet papritur të gjendem, që është një çupëlinë aty që thotë se Rama ka defekt që punon më shumë seç duhet, dhe të bëhet deputete. Njerezit angazhohen, ndjekin hierarki dhe kandidimi për deputet është fundi i një rrugëtimi të një karriere më të gjatë. Këtu i vendos një njeri. Për mua thelbi është një parti autokratike ku vendos një njeri i vetëm.
E dyta, karta që po përdoret shpesh, BE-ja. Dakord, mund ta quajmë sukses, por duhet të jemi koherentë dhe të ndershëm. Në 2016 deri në 2020, kur hanim goditje nga BE, retorika e PS ka qenë, ne kemi bërë detyrat, por është konjuktura e BE që nuk na do dhe prandaj ne po penalizohemi. Nuk mund të themi tani se po futemi se jemi pranë perfektes. Edhe sot nuk mund ta shmangim konjukturën, pra mund të futemi se BE ka nevojë për zgjerim. Të dalësh në fushatë me këtë gjë që nuk varet as nga meritat dhe as nga puna që ke bërë por nga dikush tjetër që ka qasje gjeopolitike. Nuk është kartë që mund t’u kërkosh njerëzve votë.
Felaj: Përmendët emrat të rinj, përjashtimi nuk përbën rregullin. Ka më shumë figura të njohura, jo vetëm në politikë, por nga jeta publike. Një shembull është kolegia juaj në listën e Tiranës.
Bushati: Me çfarë kontributi?
Felaj: Jo domosdoshmërisht të bëjnë kandidat kontributet brenda një partie. Mjaft të kesh rekorde të mira në jetën publike dhe kjo është bazë e mirë për të patur nesër një kandidat për Kuvendin e Shqipërisë. Sigurisht edhe mënyra të reja janë përdorur për rinovimin e një partie që kandidon për mandatin e katërt qeverisës. Ne kemi patur gabimet tona, problemet tona, që kanë patur ndikimin e tyre edhe te zgjedhësit.
Së dyti, përmblodhët rrugëtimin tonë për në BE. Duhet të ndajmë faktet nga komentet dhe opinionet. Fakti është që kemi hapur negociatat, kemi hapur disa kapituj, është konfirmuar që Shqipëria dhe Mali i Zi do të anëtarësohen.
Negociatat nuk do të hapeshin pa ndërmarrë reformën në drejtësi. Ju thoni të mos i lidhim me PS këtë. PS është partia politike që ka fituar pushtetin, që ka fituar të drejtën që nëpërmjet pushtetit të saj, të përcaktojë drejtimet kryesore politikë të vendit. BE, SHBA, çdo faktor tjetër e kanë përë si interlokutor.