AKTUALITET, 12 Maj 2025, 21:36

"Njerëzit iu dorëzuan halleve të tyre..."/ Abilekaj: Rezultati i paracaktuar! Luarasi: Mos ja hidhni fajin popullit!

"Njerëzit iu dorëzuan halleve të tyre..."/ Abilekaj:

Enton Abilekaj, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka analizuar rezultatin e zgjedhjeve, ku PS po shkon drejt një fitore të thellë me mbi 80 mandate parlamentare. 

Abilekaj tha se njerëzit votuan të prirur nga halli i tyre, ndërkohë që kishin alternativa si partitë e reja por i injoruan ato, pasi u janë dorëzuar vulnerabiliteteve të tyre dhe me këtë rast përfiton pushteti që ka gjithçka në dorë. 

Biseda në studio: 

Enton Abilekaj: Ne na takon të flasim për cilësinë e zgjedhjeve. A është ky vullneti i njerëzve? Pamë një raport të vëzhguesve ndërkombëtarë që foli për proces të pranueshëm. Të huajt e kanë të vështirë të dallojnë çfarë nuk shkon. Edhe ne që jetojmë këtu e kemi të vështirë të kuptojmë se përse nuk reflektohet pakënaqësia ndaj qeverisë. Edhe konsumimi politik normal, një qeveri konfirmohet me më shumë vota seç ka patur. Këto pyetje kërkojnë një shpjegim. Nëse është puna te opozita, pse u refuzua edhe opozita e re po aq sa opozita tradicionale? Të gjithë pyetjet logjike rrëzohen. Këto shpjegohen me një përgjigje që gjendet në studimet e sistemeve autoritare, e mungesës së demokracisë, aty ku rezultati është i paracaktuar. Aty ku vullneti i njerëzve nuk devijohet në fushatë por çdo ditë.

Iris Luarasi: Si e shpjegoni votimin elektronik? Është i pamanipulueshëm, ka distancë të madhe votash. 

Enton Abilekaj: Nuk është problemi dita e zgjedhjeve por një njeri vulnerabël përballë mbështetjes dhe nevoja që ka, krijon vulnerabilitet që e çon të votojë aty ku e çon halli i tij, mund të jetë një legalizim, një nder. Kjo mënyrë , varfëria, vulnerabiliteti, krijimi i një shteti partiak, ka krijuar këtë marrëdhënie që me një lehtësi të madhe prodhon rezultat të madh sa i intereson. Kjo duhet parë si mungesë e vazhdueshme e demokracisë, si një shtet i kapur nga një parti që pastaj e shfrytëzon kur ti duhet. Një vëzhgues ndërkombëtar, nuk janë asgjë me një proces që ndodh në katër vjet. Në një proces që e detyron njeriun të pranojë gjithçka, vetëm të jetojë në kushtet minimale jetën e vet. Përveç detajeve pastaj dhe shkeljeve të tjera.

Iris Luarasi: Në një proces zgjedhor janë dy palë, PS dhe PD. I bie që fajin e ka populli tani që voton PS-në. Tani nuk ndryshojmë dot popullin.

Enton Abilekaj: Nuk thashë që e ka fajin populli. Cilësia e zgjedhjeve prishet për katër vjet, jo në fund. Pastaj vijmë te ofertat. Lista e mbyllur e PD ishte skandaloze, i ofroi njerëzve 2005-ën. Por njerëzit mund të votonin forcat e reja, Agron Shehajn përshembull të djathtë. Apo Adriatik Lapaj, më në qendër.
Në këto zgjedhje nuk kishte vetëm Berisha dhe Rama, por ishin zgjedhje të pasura me forca të reja. Përjashto Bashën dhe Alibeajn, të treja forcat e reja jepnin diçka, tregonin diçka, që vërtetë mund t’ju besoja, përfshirë Shehajn, Lapajn dhe Arlind Qorin. Nuk është se janë të konsumuar dhe kanë qenë në pushtet. Këta janë njerëz të konfirmuar si akivistë dhe të pakonsumuar si politikanë. Forca e tretë politike sot është PSD, një forcë klienteliste. Deri dje kishim forcë të tretë një forcë tjetër klienteliste, LSI-në.